E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kriza energjitike/ Rama: Kërkesë Brukselit, BE të ndihmojë me fonde shtesë! Vuçiç: Na pret dimër i vështirë

Në mbyllje të samitit të “Ballkanit të Hapur”, Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në konferencën e përbashkët, teksa ka paralajmëruar një dimër të vështirë, ka bërë me dije se po shihet mundësia e fikjes së dritave pas orës 22:00, dhe mbylljen e bareve. 

“Do të shohim plane që përfshijnë fikje të dritave pas orës 10:00, që do të thotë mbyllje të bareve, që do të jetë njësoj si në pandemi, pra mbyllje e jetës. Ne kemi folur për bashkëpunim në këtë drejtim, për t’i qëndruar pranë njëri-tjetrit. Ne në Shqipëri kemi marrë një vendim, që nuk e di ende nëse është i çmendur apo shumë optimist, për të mos e rritur çmimin e energjisë për familjet dhe biznesin e vogël. Çështja është sa gjatë do të vazhdojë kjo histori. E përsëris apelin ndaj BE që të mos bëjë me ne turpin që bëri në kohën e pandemisë. Që na detyroi të shkonim në Kinë dhe pa vetëm brenda kështjellës së vet. Edhe liderët e BE e kanë pranuar këtë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë bëri me dije se do i drejtohet me shkrim Brukselit dhe vendeve anëtare të BE për një mbështetje financiare ekstra përveç mbështetjes buxhetore për të përballuar 7 muajt e tmerrshëm që e presin vendin.

“Ne kemi buxhetet tona shumë modeste. Do i drejtohemi me shkrim Brukselit dhe vendeve anëtare, të tre së bashku dhe me kënaqësi do të pranonim edhe firmën e 3 vendeve të tjera për ti kërkuar të njëjtën gjë për ne, një mbështetje financiare ekstra përveç mbështetjes sonë buxhetore. Parashikimet që kemi ndarë me presidentin e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe kolegët e tjerë janë marramendëse. Kemi përpara 7 muaj të tmerrshëm. Afro gjysmë miliardi euro për Shqipërinë që do të shkojë për mbajtjen e sistemit. Shpresoj që të jemi dhe ne pjesë e ndarjes së kësaj përgjegjësie. Kemi firmosur marrëveshje të tjera. Jemi optimist. Ne duam të zgjerojmë investimet duke krijuar një agjenci të përbashkët investimi, agjencia e Ballkanit të Hapur për investimet e huaja”, tha Rama.

Në të njëjtën linjë ka qenë dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i cili u ndal kryesisht te kriza energjitike. Ai tha se Bashkimi Evropian duhet të ndihmojë Ballkanin për dimrin e vështirë që i pret.

“Kompanitë tona, fermerët tanë e dinë që kjo nismë është tejet e rëndësishme për ta. Lidhur me grupin e krizave. Një dimër i vështirë po afrohet. Kemi parë që do të ketë ndihmë nga BE. Ndihma e pjesshme apo mbështetja për të blerë sasitë e nevojshme të energjisë do të jetë shumë e rëndësishme dhe e shkëlqyer për të gjithë vendet tona. Është një barrë edhe e tyre për t’i mbijetuar dimrit. Kemi folur për rëndësinë e projekteve energjetike. Po të kishim gazsjellës më të mirë me MV do kishim situatë më të mirë me energjinë se do të përdorim kapacitetet kur nuk ka gaz. Jemi në vështirësi në të dyja anët. E ardhmja duhet të na gjejë më të përgatitur. Shqipëria ka qymyrgurin, ne nuk e kemi. Do të shohim çfarë është më e mira që do të bëhet për palët.  Çdo vendim për prodhimet bujqësore apo mishit nuk do i referohet vendeve të Ballkan i Hapur. Gjithçka do të kemi nevojë për vete, çdo gjë që do të jetë në dispozicion të Serbisë, do të jetë edhe për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Jam i lumtur për gjithçka që ia dolëm të organizojmë dje dhe sot. Është një nder i madh që të jesh pjesëtar i Ballkanit të Hapur. Jam shumë krenar që krijuam diçka të tillë. Ne mund të ecim jo vetëm krah për krah por edhe të jemi më mirë se pjesa tjetër e  botës”, tha Vuçiç.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›