E Martë, 3 Nëntor 2026

Gazment Bardhi jashtë PD-së zyrtare? Basha mbledh Këshillin Kombëtar, i cili, sipas statutit, shkarkon Sekretarin e Përgjithshëm

Partia Demokratike zyrtare do të mbledhë Këshillin Kombëtar për të zgjedhur strukturat e reja drejtuese. Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp nga vetë selia e PD-së.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar ka edhe natyrë konstituese, pas zgjedhjes së anëtarëve të kësaj strukture të lartë drejtuese në Kuvendin e PD-së që u mbajt më 2 shtator.

“Mbledhja e Këshillit Kombëtar do të bëhet ditën e shtunë, datë 9 shtator 2023, ora 11:00 për të zgjedhur strukturën drejtuese të Partisë Demokratike.”- thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së.

Në këtë mbledhje, duke pasur parasysh edhe kompetencat e Këshillit Kombëtar, pritet të bëhet edhe shkarkimi i Gazment Bardhit nga funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së.  

Sipas nenit 43 të statutit të PD-së, pika 7 germa (a), Këshilli Kombëtar “zgjedh me votim të fshehtë dhe shkarkon Sekretarin e Përgjithshëm”.

Duke pasur parasysh dinamikën e përplasjeve më të fundit brenda PD-së, ku Bardhi është rreshtuar tashmë haptazi kundër kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, pritet që Këshilli Kombëtar të marrë vendimin për shkarkimin e tij, si dhe të zgjedhë një tjetër Sekretar të Përgjithshëm. Vendimet e Këshillit Kombëtar merren me shumicë të thjeshtë.

Në këtë mbledhje pritet të zgjidhen edhe nënkryetarët e PD-së pas dorëheqjes së Jorida Tabakut dhe Agron Gjekmarkajt.  

 “Këshilli Kombëtar, përveç sa parashikuar në këtë Statut, ushtron këto përgjegjësi apo të drejta: a) zgjedh me votim të fshehtë dhe shkarkon Sekretarin e Përgjithshëm; Nënkryetarët e Partisë; Kryetarin e Këshillit Kombëtar, Anëtarët e Sekretariatit; Anëtarët e zgjedhur të Kryesisë së Partisë; Kryetarin e Komisionit Zgjedhor, Kryetarin dhe anëtarët e Komisionit të Apelimit si dhe Kryetarin e Bordit Financiar të Partisë.”- thuhet në statutin e PD-së.  

Të drejtën për t’i propozuar vendime Këshillit Kombëtar, e kanë Kryetari i Partisë ose Kryesia e Partisë. Nga ana tjetër jo më pak se 15 për qind e anëtarëve të Këshillit Kombëtar kanë të drejtën që jo më vonë se 24 orë përpara mbledhjes së tij, të propozojnë kandidatë alternativë për çdo funksion politik që zgjidhet nga ky organ.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›