E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gazprom kërcënon të ndërpresë gazin përmes Ukrainës

Gjiganti energjetik i Rusisë, Gazprom ka kërcënuar të reduktojë furnizimet me gaz natyror përmes tubacionit të fundit që shkon në Evropë nëpërmjet Ukrainës, pasi pretendoi se sasia që po furnizon për Moldavinë nuk përfundon në vend.

Gazprom tha se nëse “çekuilibri i vërejtur gjatë tranzitit të gazit për konsumatorët moldavë nëpër Ukrainë vazhdon”, atëherë do të “fillojë të reduktojë furnizimet e tij me gaz” përmes Ukrainës nga java e ardhshme.

Në përgjigje, Ukraina tha se të gjitha furnizimet që Rusia kishte dërguar përmes vendit ishin “transferuar plotësisht” në Moldavi.

“Kjo nuk është hera e parë që Rusia përdor gazin si një mjet presioni politik. Ky është një manipulim i rëndë i fakteve për të justifikuar vendimin për të kufizuar më tej vëllimin e furnizimit me gaz në vendet evropiane” tha Olha Belkova nga Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit të Ukrainës.

Kriza energjetike ka goditur veçanërisht Moldavinë, me Rusinë që ka përgjysmuar furnizimin me gaz natyror dhe sulmet e Moskës ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës kanë shkaktuar ndërprerje masive në disa qytete në ish-republikën sovjetike.

Moldavia u mbështet shumë në energjinë ruse përpara luftës dhe sistemet e saj energjetike të epokës sovjetike mbeten të ndërlidhura me Ukrainën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›