Gdhendi emrin e të dashurës në murin e Koloseut, i riu rezulton turist nga Mbretëria e Bashkuar

I riu i filmuar duke gdhendur emrin e të dashurës së tij në një mur në amfiteatrin e lashtë të Koloseut në Romë javën e kaluar është një turist që jeton në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas Policisë italiane, ata kanë mundur ta identifikojnë të riun dhe partneren e tij, por nuk i kanë bërë publike emrat e çiftit. Ata dyshohet se janë larguar nga Italia, ndërsa i riu përballet me një gjobë të madhe ose deri në pesë vjet burg, nëse dënohet.
Ngjarja në kryeqytetin italian u filmua nga një tjetër vizitor i cili e qortoi verbalisht atë përpara se t’ia dorëzonte regjistrimin zyrtarëve të sigurisë. Në video, i siu shihet duke gdhendur “Ivan + Hayley 23”, që besohet se janë emrat e çiftit , në një mur të Koloseut.
Incidenti shkaktoi një reagim të gjerë në Itali dhe në mbarë globin.
“Ky akt ishte fyes për të gjithë në mbarë botën që vlerësojnë vlerën e arkeologjisë, monumenteve dhe historisë“, tha Ministri italian i Kulturës Gennaro Sangiuliano.
Koloseu gati 2000-vjeçar është një nga simbolet më të njohura të Romës Perandorake dhe është vendi turistik më i njohur në Itali. Është një vend i mbrojtur i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, që do të thotë se konsiderohet të jetë një vend me “vlerë të jashtëzakonshme universale”.
/rtsh.al/