Gëjnën “vuan”: “Nuk kam info për Flamurtarin”Klubi skocez paralajmëron tifozët: “Mos udhëtoni në Shqipëri, ka probleme”

Pas përfundimit të turit të parë kualifikues inaugural të Ligës së Europës, Flamurtari, fitues i Kupës së Shqipërisë, do të presë në raundin e dytë, skocezët e Modhëruellit, që nga ana e tyre eliminuan Lanelin (humbën 0-1 në shtëpi, fituan 3-0 në transfertë).
Kalimi në turin e dytë kualifikues të një kompeticioni evropian ishte një arritje historike për klubin skocez të drejtuar nga Xhim Gëjnën (ndeshja e tij e dytë si trajner i kësaj skuadre), por nga ana tjetër Modhëruell u bë skuadra e parë skoceze pas 50 vjetësh, që kualifikohet pasi ka humbur ndeshjen e parë në shtëpi.
Më 16 korrik, Flamurtari, i rikthyer pas disa vitesh mungesë në Europë, do të presë në shtëpi Mothëruellin, përpara se dy skuadrat të përplasen në Skoci një javë më pas (23 korrik). Trajneri i Modhëruellit pranoi se ekipi i tij pati një rritje të dukshme në krahasim më takimin e parë të humbur me Lanelin (0-1), ndërkohë që teknikun skocez e shqetëson fakti se do të luajë kundër një skuadre shqiptare tërësisht të panjohur.
“Kundër Lanelit ne treguam krenarinë profesionale dhe pasionin për Modhëruellin. Ne kishim nevojë për më shumë hapësirë dhe të tregonim më shumë kurajo, - citohet Gëjnën nga gazeta “Daily Mail”, - por, gjyqtari serb (Milorad Maziç) na dëmtoi jo pak, pasi në disa raste haroi detyrën e tij. Unë nuk di shumë rreth Flamurtarit, por tani e gjithë vëmendja jonë do të drejtohet atje. Mungesa e informacionit mund të shndërrohet në një problem real”.
Modhëruell luajti ndeshjen e kthimit kundër Lanelit në transfertë me një sulmues të vetëm, Satën (4-2-3-1). Mediat britanike, e në veçanti ato skoceze, po informojnë vazhdimisht mbi Flamurtarin, duke cilësuar faktin, se fituesja e Kupës së Shqipërisë, u rendit në vendin e gjashtë në kampionatin maksimal shqiptar. “Me ndeshjen e parë jashtë shtëpisë, -shkruan “The Herald”, - ajo e kthimit bëhet edhe më e vështirë për ‘mbretërinë’ e Gejnën”.
Faqja e afërt me klubin e Mothëruellit, motherëell-mad.co.uk, shkruan: “Mothëruell ‘lundroi’ në raundin e ardhshëm të Ligës së Europës me një fitore të qetë 3-0 kundër Lanelit. Tani ne do të përballemi me Flamurtarin e Shqipërisë, me ndeshjen e parë jashtë shtëpisë javën e ardhshme, dhe ndoshta ne do të shkojmë më tej nëse do t’ia dalim atje”.
Klubi skocez paralajmëron tifozët: “Mos udhëtoni në Shqipëri, ka probleme”. Lajmi u publikua përveç të tjerash edhe nga agjencia britanike “BBC”, përpos alarmit në faqen zyrtare të klubit skocez.
E Premte, 10 Korrik 2009