E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakult spiunon Vllazninë dhe zbulon dobësitë e shkodranëveTrajneri i Rapidit optimist pas udhëtimit në Shkodër: “Duhet t’i kalojmë”. Tekniku austriak: “Kompakt në mbrojtje, por në sulm nuk kanë si tanët”

Rekordmenët e Austrisë, Rapidi i Vjenës (nënkampione sezonin e kaluar), do të presin të enjten e ardhshme në stadiumin e tyre, “Hanappi Stadium”, nënkampionët e Shqipërisë, Vllazninë e Shkodrës, që nga ana e saj mbijetoi nga përplasja me irlandezët e Sligo Roversit në turin e parë kualifikues të Ligës së Europës (2-1, 1-1).

Në ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi”, ishte i pranishëm një “spiun VIP”, pikërisht trajneri i Rapidit të Vjenës, Peter Pakult, një ish-kandidat për stolin e Kombëtares shqiptare, por dhë një admirues i Hamdi Salihit, kur shkodrani luante me Tiranën, përpara se të transferohej në janar të vitit 2007 te SV Ried në Austri.

I ulur në tribunën “VIP” të “Loro Boriçit”, Pakult ka mbajtur jo pak shënime në bllokun e tij, teksa më shumti “lapsi i kuq” i tij ka regjistruar çdo lëvizje taktike të skuadrës dhe shënime mbi lojtarët titullarë. “Nëse do ta përkthejmë mirë rezultatin e së enjtes (Vllaznia-Sligo 1-1), duhet të them se ne nuk do të kemi asnjë problem dhe do të kualifikohemi”, - tha trajneri Peter Pakult për agjencinë e lajmeve austriake “APA”.

Sipas saj, drejtuesi i lartë vjenez e ndoqi personalisht në aksion Vllazninë e Shkodrës në barazimin 1-1 në shtëpi kundër irlandezëve, duke kaluar çdo detaj në lupën e tij. “Të enjten (16 korrik) na pret një ndeshje shumë e vështirë. Nëse ne nga minuta e parë, nuk do të jemi të qartë dhe të ushtrojmë presion, atëherë ndeshja do të shndërrohet në një luftë nervash”, - shprehet i vetëdijshëm Pakult. Trajneri 49-vjeçar e di pas konkluzioneve të udhëtimit të tij të posaçëm në Shkodër, se ku ekipi i tij duhet synojë kundër Vllaznisë.

“Ata u vendosën në mënyrë shumë kompakte në mbrojtje, por kanë dhe dobësitë e tyre. Para së gjithash, në vijën e parë, ata nuk kanë sulmues si tanët”, - reflekton Pakult. Vllaznia u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 3-2 (fitoi 2-1 në Irlandë dhe barazoi 1-1 në Shkodër), por loja e shkodranëve nuk është se e ka bindur fort trajnerin e Rapidit të Vjenës.

“Nga mënyra e organizimit të lojës irlandezët ishin më të mirë, por ata ishin në disavantazh. Gjatë 90 minutave shqitparët nuk ishin ekipi më i mirë në fushë, por gjithsesi, ishin ata që patën shanset më të mira”, - bën analizën e tij Pakult. Gjithsesi, trajneri i Rapidit nuk e fsheh se ai kishte mbetur i befasuar nga rezultati: “Kishte atje shumë gjëra për të parë”.

Në Shkodër austriakët presin një “stadium të madh e të vjetër”, në një të nxehtë rraskapitës. Gjithsesi, agjencia austriake pranon se kushtet në “Loro Boriçi” janë shumë më të mirë se ato që ka “shijuar” para dy sezonesh Rapidi në Tbilisi të Gjeorgjisë. “Fusha ishte Ok, mund të luhet për mrekulli”, - plotëson Pakult.

Mungesa e Vior Sinanit

Vllaznisë do t’i mungojë në ndeshjen e parë kundër Rapidit të Vjenës, sulmuesi kryesor i saj, Vioresin Sinani. 3-herë “Këpuca e artë” e Shqipërisë u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e kthimit kundër Sligo Roversit, duke sjellë një problem jo të vogël për trajnerin Hasan Lika. Sulmuesi tjetër është Bekim Balaj.

Një “thes” me gola

Në dy edicionet e fundit, ku Vllaznia ka mundur të kalojë në turin e dytë, skuadra shkodrane ka pësuar një “thes” me gola, madje pa mundur të shënojë qoftë dhe një gol të vockël: humbi 0-10 në rezultatin e përgjithshëm me turqit e Trabzonsporit (Kupa Intertoto, 2007, 0-6, 0-4) dhe 0-8 me italianët e Napolit (Kupa UEFA, 2008, 0-3, 0-5)

Eliminimi nga Austria e Vjenës

Vllaznia ka luajtur gjatë historisë së saj kundër skuadrës austriake, Austria e Vjenës. Ekipi shkodran është ndeshur për turin e parë të Kupës së Kampioneve (sot Liga e Kampioneve) në edicionin 1978-1979, apo 1/16-ve siç ishte zyrtarisht raundi. Ky ishte dhe prezantimi i parë i Vllaznisë në Europë. Në takimin e parë, më 13 shtator 1978, Vllaznia fitoi 2-0 falë golave të Medin Zhegës (8) dhe Shyqyri Ballgjinit (57’). Në takimin e kthimit, skuadra shkodrane humbi 4-1, duke e eliminuar me rezultatin e përgjithshëm 4-3. Golin e shkodranëve e realizoi Astrit Hafizi. Statistika nuk është “optimiste”, por në futbollin e sotëm mund të ndodhë gjithçka, pse jo edhe të shohim Vllazninë tonë në turin e tretë kualifikues.

E Premte, 10 Korrik 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›