Gejts flet për veprimet amerikane në Jemen, Irak dhe Libi
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gejts, u shpreh optimist për zhvillimet në Jemen, ku qeveria dhe klanet opozitare janë përfshirë në përleshje të armatosura që e çuan vendin në luftë civile.
Në një intervistë dhënë për agjencinë e lajmeve Asociated Press, Gejts tha se situata është qetësuar paksa, qëkur presidenti, Ali Abdullah Saleh, u largua për trajtim mjekësor në Arabinë Saudite më 5 qershor.
“Fakti që Saleh ndodhet në Arabinë Saudite, ndoshta do të mund të bëhet diçka për ta përfunduar këtë” duke gjetur një zgjidhje në mes të familjes së Salehit, klaneve opozitare dhe ushtrisë- tha Gejts.
Lidhur me Afganistanin, Gejts tha se amerikanët duhet të jenë sigurtë se Shtëpia e Bardhë është duke bërë një rishikim “të thellë” të situatës, si pjesë të vendimit të ardhshëm të Barak Obamës për tërheqjen e një numri të trupave amerikane në korrik. Ai tha gjithashtu se pret që qeveria irakiane të kërkojë mbetjen e trupave amerikane në Irak përtej këtij viti. Gejts, i cili fillimisht kundërshtoi ndërhyrjen amerikane në Libi, u shpreh i bindur në rënien e Moamer Gadafit. Ndërkaq sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Klinton, i kërkoi Unionit Afrikan të mbështesë dëbimin e Gadafit. Ajo u bëri thirrje shteteve afrikane të heqin dorë nga lideri i Libisë, Moamer Gadafi, dhe të punojnë në forcimin e demokracisë, njofton agjencia gjermane e lajmeve DPA.
“Përsa kohë Gadafi mbetet në Libi, populli i Libisë do të jetë në rrezik. Gadafi duhet ta lëshojë pushtetin. U bëj thirrje të gjitha shteteve afrikane të kërkojnë një armëpushim të vërtetë dhe të kërkojë largimin e Gadafit”, tha Klinton gjatë një fjalimi drejtuar Unionit Afrikan në kryeqytetin e Etiopisë, Adis Ababa.