E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gellneri dhe identiteti shqiptar i Kosovës

(Recencë e librit të Ernest Gellnerit “Kombet dhe Nacionalizmi”, përkthyer në shqip në Prishtinë)
    
Për studiuesit e shkencave politike, sociologjisë, historisë dhe atyre të filozofisë, ky libër i Gellnerit paraqet një tekst relevant për t’i kuptuar pikëpamjet e një autori modernist për Kombin dhe Nacionalizmin dhe natyrisht, për të shtuar shumësinë e teksteve të munguara në shqip, që e përbëjnë diversitetin e pikëpamjeve dhe kuptimeve të çështjeve që lidhen me Kombin dhe Nacionalizmin. Ata që interesohen për të njohur e studiuar Kombin, Nacionalizmin, teoritë dhe tipologjitë e tyre, te ky libër i Gellnerit do të gjejnë pikëvështrimin tipik të një autori modernist, që bashkë me autorë të tjerë modernistë, përgjithësisht e mbrojnë pikëpamjen se edhe Kombi, edhe Nacionalizmi janë fenomene shoqërore/politike që shpërfaqen në periudhën e modernizmit apo janë produkte a pasoja të kësaj periudhe. Në këtë kontekst Gellneri mendon se Nacionalizmi - e për pasojë Kombi - u paraqitën me fillimin e industrializmit, si një fazë e re e zhvillimit dhe organizimit shoqëror/ekonomik, e për pasojë edhe kulturor e politik. Sipas tij periudha e industrializmit karakterizohet me tendencë të rritjes së njohjeve, rritjes ekonomike, rritjes së lëvizshmërisë së popullsive dhe komunikimit më të lirë, e krejt kjo çon në rritjen identifikimit të dallueshmërive kulturore në mes popujve. Në këtë moment, sipas Gellnerit lind Nacionalizmi, synimi i të cilit është unifikimi i njësisë kulturore me njësinë politike apo kufijtë e shtetit, përmes krijimit të vetëdijes dhe vullnetit për këtë unifikim, të kuptuar si pasojë apo domosdoshmëri të imponuar nga rrethanat e krijuara industriale/ekonomike/zhvillimore. Realizimi i këtij unifikimi shënon themelimin e kombit, respektivisht realizimin e funksionit të shtetit modern, që përkon me shtrijen e autoritetit centralist të tij në hapsirën kulturalisht homogjene. Duhet theksuar që pikëpamjet e tilla mbi formimin e kombit dhe lindjen e nacionalizmit kundërshtohen nga teorikët primordialistë, të cilët pretendojnë se forma të organizimit dhe unifikimit kulturor e politik të ngjashme me kombin modern, kanë ekzistuar edhe para periudhës së industrializmit e modernizmit.
      Një kapitull tjetër të librit, që dua ta veneroj lidhet me tipologjinë që Gellneri e përdor për dallimin e Nacionalizmave. Përmes një analize karakteristike ai përfundon se dallojmë Nacionalizmin Perëndimor, karakteristik për kombet e Perëndimit dhe i cilësuar si më i butë, si pasojë e pranisë më masive të kulturës së lartë në këto vende. Ndërkaq tipin tjetër të Nacionalizmit e identifikon si Lindor, me prani të gjerë në botën lindore e veçanërisht në Ballkan, të  karakterizuar si më agresiv e konfliktual, si pasojë e lindjes së kulturave të reja me pretendime për t’u bërë të larta dhe dominuese. Nacionalizëm i veçantë të cilin e vë në spikamë Gellneri është Nacionalizmi i Diasporës, me të cilin ai më së shumti identifikon izraelitët.
Tani duke vënë në pah kapitullin “Një komb, një shtet”, nuk do të tregohem hiç indiferent ndaj debateve, polemikave e diskutimeve që po zhvillohen në opinionin tonë publik lidhur me identitetin nacional të Kosovës. Krijimi i shtetit të Kosovës, ka bërë që të hidhen mendime se tash duhet krijuar edhe identiteti nacional kosovar. Duke mos e zgjatur fort, fillimisht dua të them se identiteti nacional i Kosovës ekziston, dhe sot askush nuk mund të pretendojë se ky identitet duhet formuar apo riformuar. Ideja e Kosovës së pavarur paraqet realizimin e aspiratave nacionale të shqiptarëve dhe ky fakt edhe sipas Gellnerit nuk e cënon synimin/parimin e Nacionalizmit (apo e cenon atë më së paku), pra, ideja kombëtare mund të realizohet në më shumë se një shtet (Gellneri përmend rastin e Britanisë dhe të Zelandës, ndërsa ne do të shtojmë edhe rastet e Greqisë e të Qipros si dy shtete greke apo edhe rastin e Rumanisë dhe të Moldavisë).
Duhet kuptuar gjithashtu se, krijimi i kombit kosovar do të ishte i pamundur, për faktin se Kosova banohet nga kombe të formësuara, nga kombi shqiptar - shumicë - dhe kombet e tjera pakicë. Kombi nuk krijohet duke bashkuar kombe, ai mund të formohet duke bashkuar etni të ndryshme rreth një qëllimi politik, me ç’rast do të formohej një Komb i ri Politik. Edhe sikur Kosova ta kishte popullsinë të formësuar vetëm në nivel etnik, e jo të avancuar në nivel kombëtar, do të duhej që këto etni të kishin konsensusin/synimin politik për krijimin e shtetit, e ky synim politik pastaj do të mund të kthehej në motiv për krijimin e kombit. Dihet mirëfilli se të paktën serbët e shohin si armiqësore idenë e Kosovës së pavarur, ndërsa shqiptarët Kosovën e pavarur e shohin vetëm si realizim të aspiratës së tyre kombëtare. Argumenti se me krijimin e njësisë së re politike, imponohet edhe krijimi i identitetit të ri kombëtar, nuk është hiç i saktë, sepse Kosova ka qenë njësi politike edhe në Jugosllavi, dhe synimin e saj për ta avancuar statusin e njësisë së vet politike, e ka bërë me qëllimin e vetëm që përmes saj, të garantojë dhe kultivojë identitetin e vet nacional, të dallueshëm nga kombet e tjera të Jugosllavisë. Por, ajo asnjëherë nuk ka synuar që duke e konsoliduar njësinë politike të kultivojë identitet nacional e kulturor të dallueshëm edhe ndaj kombit shqiptar të Shqipërisë.
Përpjekja që të kontestohet uniteti i identitetit kombëtar shqiptar, duke e kuptuar procesin e komb-formimit vetëm si proces të vendeve të modernizuara dhe industrializuara, do të thotë paragjykim dhe mosnjohje e rrethanave të përgjithshme të formimit të Kombeve. Ernest Gellneri në librin e tij “Nacionalizmi”, që pak a shumë është evoluim i pikëpamjeve të shprehura në këtë libër që e kemi objekt recence, konsideron se kombet u formuan edhe në ato zona që ende ishin të pa modernizuara e të pa  industrualizuara dhe kjo vinte si vullnet i këtyre popujve për t’u diferencuar/mosasimiluar nga kulturat kombëtare të këtyre vendeve të zhvilluara(që në shumë raste ishin pushtuese). Në këtë drejtim këto vende (p.sh të Evropës Lindore), filluan lëvizjet e tyre politike/kulturore për krijimin e identiteteve të tyre kombëtare. Pra, nëse kombin dhe nacionalizmin i kuptojmë nga këndi i modernistëve, respektivisht me logjikën e modernistit Ernest Gellner, atëherë Lëvizja Kombëtare Shqiptare në krye me Rilindasit tanë, që për synim kishte krijimin e logjistikës kulturore/arsimore për krijimin e kombit, ishte pjesë përbërëse e mozaikut të lëvizjeve nacionale të nisura në Ballkan dhe Evropën Lindore. Mungesa e një lëvizje të tillë nga ana e shqiptarëve, për shkak të mungesës së zhvillimit të industrisë së tyre në shek.XIX, do të kishte bërë që ata sot të ishin turqë, serbë apo grek në industrializim.
Krejt në fund dua të theksoj që Kosova e pavarur më shumë se NewBorn, është Rilindje. Rilindje nacionale, demokratike dhe përendimore e shqiptarëve të Kosovës. Duke parafrazuar nga parathënia e botimit shqip të këtij libri (Kombet dhe Nacionalizmi), të shkruar nga përkthyesi prof.Mentor Agani që, flamujt mund të krijohen me kompjuter, por jo edhe identitetet kombëtare, unë do të shtoja se, popujt gjatë historisë së tyre, elitat komb-formuese i nxjerrin vetëm njëhere, derisa t’i formojnë kombet, e në rastin e popullit shqiptar mendoj që këto elita tashmë janë konsumuar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›