Qeveria shqiptare u ofron bizneseve kineze një zonë të lirë ekonomike
Kryeministri Sali Berisha u prit në një takim nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Hu Jintao
TIRANE - Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Kinë, kryeministri Sali Berisha u prit në një takim të përzemërt nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Hu Jintao.
Berisha e falënderoi përzemërsisht Presidentin Jintao për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe theksoi se ishte një nder i madh për të, si Kryeministër i Shqipërisë, që vizitonte Kinën në përvjetorin e 60-të të marrëdhënieve midis dy popujve. Kam ardhur disa herë në Kinë, u shpreh Kryeministri, “por sa herë që vij, gjej një Kinë të ndryshuar, më të zhvilluar dhe më të begatë”.
Kryeministri Berisha u shpreh se ai dhe qeveria që kryeson, e konsiderojnë një thesar shumë të çmuar miqësinë e popullit kinez.
“Kina i ka dhënë një ndihmë shumë të madhe popullit shqiptar në momente shumë të vështira të historisë së tij dhe për këtë shqiptarët u janë shumë mirënjohës. Por, pikërisht atëherë kur Kina, nën doktrinën e Deng Hsiao Pin-it, filloi të ndërtonte Shenzhenin, diktatori shqiptar ndërtonte mijëra bunkerë dhe e çonte popullin e tij drejt varfërisë së thellë”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Komuniste kineze kanë realizuar ndryshime të thella në vendet respektive, ndërkohë që ndihma e Kinës gjatë këtyre viteve të ndryshimit të Shqipërisë, ka qenë shumë e çmuar.
Duke u ndalur në investimet në vend, Berisha tha se Shqipëria është një vend i vogël, por që ofron potenciale shumë të mëdha për biznesin kinez.
“Qeveria shqiptare, është e gatshme t’i ofrojë biznesit kinez një zonë të lirë ekonomike për të investuar në Shqipëri, e cila ka një pozicion gjeografik kyç në Ballkan dhe Evropë”, tha Berisha.
Berisha shtoi se qeveria u ka ofruar dhe do t’u ofrojë biznesit kinez troje me një euro për të zhvilluar aktivitetin e tyre ekonomik dhe do të vazhdojë të krijojë çdo lehtësi për ta kthyer investimin e tyre në histori suksesi.
Më tej, Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Hu Jintao, tha se forcimi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare përbën një prioritet për qeverinë kineze dhe se ai do të inkurajojë biznesin kinez të investonte në Shqipëri. Disa biznese të mëdha kineze kane krijuar besim dhe bashkëpunim të frytshëm me qeverinë shqiptare, si; në fushën e çimentos dhe në fushën e teknologjisë, ku Huaway dhe ZTE kanë eksperienca shumë të mira investimi në Shqipëri, vijoi Hu Jintao.
Presidenti i Kinës Jintao shprehu vlerësimin maksimal për reformat e kryera nga qeveria e kryesuar nga kryeministri Berisha, duke bërë të mundur që Shqipëria të bëhet një vend me rritje të madhe ekonomike.
Ndërkohë që në përfundim, Presidenti i Kinës Jintao pranoi me kënaqësi ftesën e Berishës dhe premtoi se do ta vizitonte shumë shpejtë Shqipërinë.