Genc Pollo: “Rrogat e mësuesve do shkojnë 700 dollarë, do ulim papunësinë”
Ministri Pollo, takim elektoral në bashkinë e Çorovodës
Kryesuesi i listës së PD-së për qarkun e Beratit, Genc Pollo, është ndalur në bashkinë e Çorovodës së bashku edhe me kandidatët e tjerë të PD-së në këtë qark, Lefter Maliqi dhe Çaush Qato. Në këtë takim ministri dhe deputeti Pollo ka shprehur bindjen e tij per marrjen e 4 deputeteve ne qarkun e Beratit dhe me tej ka folur për dyfishimin e rrogave të mësuesve dhe infermierëve gjatë këtyre viteve dhe ka konfirmuar edhe një herë premtimin e Kryeministrit Berisha për ta çuar rrogën e mësuesit në 4 vitet e ardhshme në 700 dollarë: “4 deputetë ne nuk do t’i marrim vetëm për statistikë, por ne do t’i marrim për të shërbyer, ne do t’i marrim për të vazhduar disa punë të mira që kanë filluar dhe këto punë të mira nuk lipset të ndërpriten, sepse u premtua se do të dyfishohej rroga e mësuesve, dhe rroga e mësuesve është dyfishuar; 4-vjeçarin e ardhshëm do ta çojmë minimumi 700 mijë lekë të vjetra; u premtua rritja e rrogave në shëndetësi dhe ato, pothuajse, janë dyfishuar”. “Ne premtojmë rritjen e rrogave dhe reformave për punë në mënyrë që të ketë më shumë sipërmarrje në Çorovodë, - ka vijuar më tej Pollo, - më shumë sipërmarrje përgjatë rrugës së Hamullit, përgjatë Kanioneve të mrekullueshme dhe të pakrahasueshme të Osumit; po ashtu në trevën turistike të Bogovës, në mënyrë që kudo papunësia të zbresë dhe njerëzit të gjejnë punë, jo vetëm që të punësohen në shtet, por të jenë vetë sipërmarrës dhe të gjenerojnë të ardhura, ashtu si janë skapalinjtë në Skrapar, në Tiranë e kudo, që janë njerëz me aftësi për të punuar dhe kudo shquhen si njerëz që kanë siguruar të ardhura falë punës së tyre.” – ka përfunduar fjalën e tij deputeti Pollo