Vazhdojnë protestat në dhjetëra qytete të Turqisë
Sulmohet selia e partisë së Erdogan
Një natë tjetër protestash. Pamje të njëjta që vijnë nga qytete të ndryshme të Turqisë.
Përpjekja e Kryeministrit Erdogan për të shtypur me forcë protestat vetëm sa ka bërë që këto të shpërndahen në shumë qytete të tjera të vendit.
Një valë zemërimi që ka tejkaluar tashmë kundërshtimin për ndërtimin e një qendre tregtare në Gezi Park, pas prerjes së 600 pemëve.
Sërish një natë më parë opozita ka qenë në shesh në një protestë që ka marrë trajtën e një opozite laike kundër qeverisë filo islamike të kryeministrit Erdogan.
Janë 1.700 personat e arrestuar. Ndërsa protestat vazhdojnë të përhapen më shumë se 200 të tilla në 67 qytete të ndryshme sipas të dhënave të ministrisë së brendshme turke.
Përplasjet më t ë dhunshme janë shënuar në Smirnë, ku turma ka sulmuar selinë e partisë së kryeministrit Erdogan. Ky i fundit ka akuzuar opozitën për akte vandale dhe ka akuzuar rrjetet sociale se po shpërndajnë informacione të rreme.
Por dhe në kryeqytet, Ankara, janë kryer 200 arrestime, ndërsa 500 protestues kanë kërkuar mjekim si pasojë e dhunës policore dhe përdorimit të gazit lotsjellës.
Turma është përpjekur ti afrohet selisë së qeverisë.
Shumë nga protestuesit mbanin në duar shishe birre në shenjë kundërshtimi të vendimit më të fundit të qeverisë filo islamike që ndalon konsumin e pijeve alkoolike.