Gent Strazimiri: Ja si u shpërblyen brenda 97-s gjithë piramida e nomenklaturës komuniste
“Brenda vjeshtës së vitit ’97, u dha pafajësinë me vendim gjyqi të gjithë kanibalëve që dënuan pa faj dhe zhdukën me mijëra shqiptarë dhe në një kohë rekord i dëmshpërbleu me para në dorë”
Për deputetin e Partisë Demokratike, Genti Strazimiri greva e urisë e zhvilluar gjatë këtyre ditëve nga disa ish-të përndjekur politik, është një skenar i përgatitur nga opozita për të rrëzuar kryeministrin. Ai e cilësoi atë si atentat dhe provokim ekstrem të shqiptarëve nga opozita që gjeti kriminelët si koordinatorë të grevës. Strazimiri solli në vëmendje se, në një kohë kur PD ka mbështetur shtresën ish të përndjekurve, Partia Socialiste i “dhuroi” shuma të majme Nexhmije Hoxhës, Ramiz Alisë apo dhe Aranit Çelës, persekutorët e atyre që sot janë në grevë urie, në shërbim të kauzave politike të Partisë Socialiste. “Pas një ndërprerje prej 8 vitesh, kompensimi financiar i viktimave të regjimit socialist vazhdon sipas grafikut të paracaktuar dhe miratuar nga ky Parlament, i pacenuar në asnjë rast nga vështirësitë buxhetore dhe ekonomike që kriza globale ka eksportuar pashmangshmërisht në Shqipëri. Sipas të dhënave që edhe unë kam, jemi vendi që paguajmë më shtrenjtë për ditë burgu të padrejtë, 18.6 Dollarë, në një kohë kur vende të tjera ish-socialiste vërtiten tek 9 Dollarë për ditë burgu. I vetmi vend që na afrohet në këtë statistike është një vend i Bashkimit Evropian, Sllovenia, e cila një ditë burgu socialist e vlerëson 17.5 Dollarë. Mirëpo pavarësisht këtyre fakteve elokuente, ne kemi prej 28 ditësh një çadër të ngritur në një rrugë të Tiranës, ku disa individë pretendojnë krejtësisht të kundërtën e që dhunshëm po hyjnë nëpër shtëpitë tona. Thënë kjo, nuk kam ndër mend ta fsheh që shqetësimi im, i cili i u bë shkak për këtë interpelancë, qëndron në nevojën për të hapur publikisht një proces reflektimi i cili, jam i bindur që privatisht po konsumohet në çdo mendje, ndërgjegje e familje shqiptari, madje me sa duket edhe në ato të miqve të çmuar, përfaqësues të vendeve mike në Tiranë. E gjithë historia mua më ngjan me një atentat drejtuar ndërgjegjes së çdo shqiptari, me provokim ekstrem, duke ngritur dilema mbi dimensionin human të shoqërisë sonë. E ashtuquajtura ‘Grevë’ ka edhe koordinatorët, administratorët, më sakte ‘tutorët’ zyrtarë, seriozë sigurisht, me eksperiencë të gjatë pune të certifikuar me jo pak, por 7 vite burg për tregti të ‘mishit të bardhë’. Dhe ai që mishin e shet dhe e blen në një pusetë gjirizi të modifikuar si dhomë, nuk ka vështirësi që edhe ta djegë... çakmak dhe benzinë sjellin ata që mbështesin ‘kauzën’... Por cilën ‘kauzë’? A ka një ‘kauzë’ të viktimave të komunizmit në Shqipëri? Përgjigja është pa as më të voglën mëdyshje ‘PO’! A është ‘kauza’ e tyre paraja? Definitivisht ‘JO’. Kauza e tyre dhe sfida jonë si shoqëri është rehabilitimi i tyre si shtresë e viktimizuar pa faj, pa krim, për shkak të padrejtësisë së ngritur në sistem gjatë 46 viteve ‘të regjimit kanibalesk të padrejtësisë’. ‘Kauza’ e tyre dhe e jona është ligji i lustracionit, të cilin Bamir Topi dhe Fehmi Abdiu në bashkëpunim pervers na e nxorën ‘antikushtetues’. Po si zgjidhet? ‘Epo jepu ca lek dreqi ta hajë, se vetëm atë duan….’, thotë pa u lodhur dhe në të gjitha format secili prej ‘tutorëve’ jozyrtarë të këtij ‘kanibalizmi heroik’. Përgjigjen, me një mençuri të pashoqe e me një heshtje buçitëse po aq sa dhe përbuzëse këtyre horrave ua dhanë së pari shtresa e viktimave të socializmit”, u shpreh deputeti i PD-së. Sipas tij, padyshim që kauza e të përndjekurve, është kauza e të gjithë shoqërisë shqiptare. Por, tha ai, në këtë kanibalizëm publik, gjithçka është e mirë-organizuar, në të cilën fshihen interesa të dyshimta. “Nuk mund të mohohet që në këtë kanibalizëm publik, gjithçka është e mirë-organizuar, e mirë-koordinuar, d.m.th siç thotë në të tilla raste një diplomat i huaj që unë e vlerësoj shumë: ‘E strukturuar dhe e mirë-orientuar në një objektiv me mbështetje të fortë financiare dhe mediatike’... Mirëpo lind pyetja: Kur e mirë-menduan, mirë-strukturuan, mirë-koordinuan, mirë-financuan e mirë-organizuan ….me regji…, a nuk e kishin të mundur të gjenin si koordinator një burrë a grua nga ata që kanë qëndruar si shkëmb në tallazet e jetës, që askush nuk mund t’u thotë ‘spiun sigurimi’, ‘përdhunues’, ‘bixhozxhi”, “pijanec’, ‘sharlatan’ e ca më keq akoma ‘tutor’ prostitutash të lira…? Pse kjo ‘dhuratë’ Sali Berishës dhe të tijve? Logjikisht, kjo pyetje ka vetëm dy përgjigje të mundshme: 1. Jo, është e pamundur, asnjë individ me të dhëna të forta integriteti moral dhe njerëzor, nuk do të pranonte të luante ‘kanibalin’ në këtë dramë, sado inat ta kishte Sali Berishën. 2. Po, edhe mund të gjendej... por një i tillë u duhej, kërkohej ‘një tutor prostitutash’ që t’i jepte zërin e tij, fytyrën e tij, moralin e tij ‘kauzës’ së viktimave të socializmit. Këtu, ‘mobilizimi i çdo qelbësire’ për të rrëzuar Berishën, merr tjetër dimension. Kthehet në mobilizim të çdo qelbësirë për të bërë të paqenë ‘kauzën’ e tyre, për t’i dhënë asaj përmbajtjen e qelbësirës, fytyrën e qelbësirës, zërin e qelbësirës dhe të kanibalit që djeg shokun për PARA... sigurisht për t’i dhënë të gjithë shtresës vulën e kanibalizmit duke e privuar nga çdo element humanizmi!”, tha ai. Për deputetin demokrat, Genti Strazimiri greva e urisë i ngjan një manuali standard të veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit: “Merr individë të pisët, pa moral, me karakter të dobët, mundësisht të përzgjedhur, për të qenë nën presion rrethanash fatkeqe, të cilat edhe nëse nuk ekzistojnë është detyrë e operativit të sigurimit t’i krijojë, nëpërmjet asaj që në praktiken dhe manualet e Sigurimit të Shtetit quhej ‘marrje në përpunim me material shtrëngues’”, tha ai. Strazimi solli në vëmendje se gjatë 8 viteve të PS në pushtet, të përndjekurit jo vetëm që nuk morën asnjë lek, por përkundrazi, u dëmshpërblye nomenklatura e regjimit komunist Lenka Çuko, Arjanit Çela, Nexhmije Hoxha apo dhe Ramiz Alia etj. “Brenda vjeshtës së vitit ’97, u dha pafajësinë me vendim gjyqi të gjithë kanibalëve që dënuan pa faj dhe zhdukën me mijëra shqiptarë dhe në një kohë rekord i dëmshpërbleu me para ndër dorë”, tha më tej Strazimiri. Dëmshpërblimi financiar i kanibalëve të diktaturës komuniste
1. Lenka Çuko 5 milionë e 750 mijë dt. 13.05.2000
2. Arjanit Çela 7 milionë e 300 mijë dt. 03.03.1999
3. Ramiz Aliaj 6 milionë e 600 mijë dt. 12.05.1999
4. Rapi Mino 3 milionë e 550 mijë dt. 29.12.1999
5. Prokop Mura 9 milionë e 400 mijë dt. 02.06.1999
6. Simon Stefani 6 milionë e 200 mijë dt. 02.06.1999
7. Qirjako Mihali 5 milionë e 625 mijë dt. 3 1.08.1999
8. Rita Marko 1 milionë e 790 mijë dt. 24.01.2001
9. Zylyftar Ramizi 5 milionë e 290 mijë dt. 09.04.1999 (pafajësia në shtator 1997).
...