E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdec, Patozi: Kërkesat e grevistëve, të ekzagjeruara

 

Shuhen shpresat për grevistët. Qeveria nuk merr përsipër dëmshpërblimin

TIRANË- Për herë të parë, shumica e djathtë i cilëson si të parealizueshme kërkesat e grevistëve të urisë në Gërdec. Bëhet fjalë për reagimin e djeshëm të deputetit të zonës së Vorës, njëkohësisht kryetar i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i cili është shprehur se kërkesat e tyre janë të ekzagjeruara dhe të papërballueshme nga qeveria. Shteti, sipas tij, është i pafuqishëm financiarisht për të përballuar pretendimet e banorëve të kësaj zone. “Përfaqësues të opozitës, po i keqpërdorni mizorisht punëtorët e fabrikës së Gërdecit. Ju po kërkoni të mbani ndezur një vatër në Gërdec, kjo është tema juaj e vetme e monologut tuaj. Kërkesat e tyre janë të ekzagjeruara. Nuk ka shtet miliarder që t’i plotësojë ato. Qytetarët nuk e kanë kualifikimin e duhur për kërkesat që bëjnë duke i sakrifikuar në mënyrë sublime”,- tha Patozi në seancën e djeshme plenare, gjatë diskutimit të lirë ku deputetë të majtë e akuzuan qeverinë se nuk po përfill kërkesat e grevistëve, ish-punëtorë në fabrikën që u shkatërrua në tragjedinë e 15 Marsit në Gërdec. Patozi akuzoi deputetët e majtë se kanë nxitur protestën, duke përdorur fatkeqësinë e këtyre njerëzve për përfitime politike. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i socialistëve, të cilët kanë theksuar se sjellja e tyre ndaj qëndrimit që ka mbajtur qeveria ndaj kësaj çështjeje, jo vetëm që nuk është e ekzagjeruar por përkundrazi, është shumë e butë. Sipas kryetares së grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, opozita nuk po shfrytëzon asnjë çështje, por ka dalë në krah të banorëve që u vranë dhe u dëmtuan, nga ai që ajo e ka konsideruar si krim shtetëror. Ndërkohë që gjatë paradites së djeshme një përfaqësi deputetësh socialistë, e përbërë nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj dhe deputeti Musa Ulqini, në emër të Partisë Socialiste, vizituan në shenjë solidariteti 7 grevistët e urisë, të strehuar në një apartament në Vorë. Të mbetur pa punë, pas tragjedisë në fabrikën e predhave në Gërdec, pa shtëpi dhe pa asnjë lloj të ardhure, grevistët, me një moshë shumë të re, prej 4 ditësh, po bëjnë një sakrificë sublime, në përpjekje për të arritur plotësimin e kërkesave të tyre. Ata i premtuan atyre se të gjithë socialistët do të jenë me ta në këtë betejë me qeverinë dhe se do ta ngenë çështjen e tyre në çdo debat politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›