E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, PD miraton ligjin për legalizimet

 

Edhe pse nuk ishte parashikuar në rendin e ditës, Kryetarja e Kuvendit futi në rend të ditës votimin për legalizimet

TIRANË- Mazhoranca e djathtë ka miratuar për të dytën herë me limitet e mundshme të votave, ligjin e ndryshuar të legalizimeve. Pavarësisht kontestimit të vazhdueshëm të opozitës dhe vërejtjeve që bëri Kreu i Shtetit në dekretin e kthimit të ligjit të mëparshëm, shumica qeverisëse ka votuar me vetëm 71 vota pro dhe votën kundër të opozitës, ligjin që sanksionon përfundimisht kalimin e kompetencave të pushtetit vendor tek Agjencia e Legalizimeve. Miratimi i tij në seancën e djeshme është bërë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, pasi kryeparlamentarja Jozefina Topalli e ka futur atë për miratim, pavarësisht se nuk ishte parashikuar në rendin e ditës të punimeve të seancës plenare. Kjo ka bërë që opozita të reagojë fort, duke kërkuar me ngulm që të respektohet Rregullorja e Kuvendit dhe projektligji, që më pas u bë ligj, të kalonte për miratim vetëm sipas rendit të ditës. “Ju po shkelni Rregulloren dhe po fusni për votim një projektligj i cili nuk ishte parashikuar për sot. Prandaj, ne ju bëjmë thirrje që ta tërhiqni atë dhe të vijë për miratim sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit”, - u shpreh nënkryetari i grupit socialist, Erion Braçe. Ndërkohë që kryeparlamentarja Topalli e ka justifikuar këtë veprim, me faktin se projektligji i legalizimeve kishte qenë në rend të ditës për seancën e një jave më parë dhe se ishte mbartur për t’u votuar. “Nuk po shkelet asnjë rregullore, pasi projektligji është diskutuar dhe ka qenë për t’u votuar në seancat e mëparshme, por për shkak të mungesës së numrave të deputetëve, është shtyrë. Prandaj, futja e tij në rend të ditës sot është legjitim”, - tha Topalli. Ligji në fjalë, në përmbajtje të tij është kontestuar si nga opozita, ashtu edhe ish-pronarët. Kjo, sepse mazhoranca nuk mori parasysh një sërë propozimesh të detajuara nga ana e opozitës, të cilat preknin disa nene, ku pretendohej se ishin prekur kompetencat e pushtetit vendor. PS, ka propozuar që të hiqen nga drafti, propozimi për shfuqizimin e neneve 11 dhe 14, të ligjit bazë, pasi, sipas socialistëve, kjo sjell shmangien nga vendimmarrja të KRRT-së në përcaktimin e kufirit të bllokut informal. Një ndërhyrje tjetër e PS-së , ka qenë edhe ajo për nenin 14, sepse në bazë të këtij neni, ALUIZNI nuk ka kompetenca për shitjen e pronës shtetërore, aq më tepër kur ajo hyn në juridiksionin e qeverisjes vendore. Gjithashtu, përfaqësuesit e majtë kanë kërkuar dhe ndryshimin e nenit 16, 17, 19, 24, 28, me argumentin se në të gjitha këto nene, në mënyrë të përsëritur, anashkalohet pushteti vendor nga procesi i legalizimit. Por të gjitha këto kërkesa nuk janë marrë parasysh nga përfaqësuesit e shumicës. Ndërkohë që i vetmi propozim që mazhoranca ka marrë parasysh nga amendamentet e paraqitura nga opozita ka qenë ai për ndryshimin e pikës “a”, të nenit 7, të projektligjit të ri, pikë që përcakton se njësia e qeverisjes vendore, ku janë ngritur ndërtimet informale të vetëdeklaruara, kryen kualifikimin e tyre dhe dërgon pranë Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t, brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, dokumentacionin e mbledhur gjatë fazës së vetëdeklarimit. Ndërkohë që një tjetër ndryshim i bërë projektligjit të kthyer nga Presidenti, është edhe ai i përcaktimin të afatit 3-mujor për dëmshpërblimin e pronarëve të vjetër dhe dhënien e certifikatave të legalizimit banorëve të rinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›