E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jozefina vë shaminë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vendosi shaminë në kokë për t’u takuar në Pallatin Mbretëror me mbretin e Arabisë Saudite. Topalli është takuar në një nga vendet më të rëndësishme të botës islame me kryetari i Parlamentit të Arabisë Saudite, Salih Bin Abdullah Al Humeid dhe ka shprehur gatishmërinë për firmosjen e çdo marrëveshjeje që forcon marrëdhëniet mes dy vendeve. Gjatë vizitës që kryeparlamentarja shqiptare po zhvillon në Arabinë Saudite, ajo tha se Shqipëria, si vend evropian, ofron mundësi të shumta bashkëpunimi ekonomik dhe mirëpret investitorët arabë të sjellin bizneset e tyre në të gjitha fushat me interes për ta: në energjetikë, infrastrukturë, turizëm apo pjesëmarrje në privatizimet e sektorëve strategjikë. Nga ana e tij, kryetari Al Humeid tha se Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe se ndihet shumë të kënaqur për zhvillimet pozitive në vendin tuaj. “Ne jemi në kërkim të vendeve ku mund të investojmë dhe Shqipëria mund të jetë padyshim vendi më i përshtatshëm për investime”, tha Al Humeid. Lidhur me çështjen e njohjes së Republikës së Kosovës, kryetarja Topalli shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Arabia Saudite ka dhënë për popullin e Kosovës gjatë krizës së vitit 1999, mbështetje që “besojmë se do të vazhdojë edhe me njohjen e këtij shteti të pavarur”. Kryetari i Parlamentit të Arabisë Saudite tha se “njohja e Kosovës është vetëm çështje kohe dhe popullit të shtetit më të ri nuk do t’i mungojë mbështetja e Mbretërisë së Arabisë Saudite”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›