E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, zhvillohet forumi ndërkombëtar i biznesit

Paraditen e së hënë ka startuar në Gjirokastër, Forumi Ndërkombëtar me temë “Gjirokastra, ambjent mikpritës, shanse biznesi dhe investimi”. Në këtë aktivitet i cili është inicuar nga Dhoma Rajonale e Tregëtisë dhe Industrisë në Gjirokastër dhe bashkia e qytetit krahas përfaqsuesve të biznesit në Jug të vendit janë ftuar të marrin pjesë edhe rreth 50 biznesmenë nga shteti fqinjë, Greqi. Diskutimet përgjatë forumit përqëndrohen kryesisht në shanset që ofron Gjirokastra për biznesin dhe investimet, karakteristikat e arkitekturës dhe urbanistikës gjirokastrite, turizmi zhvillim primar dhe premtues për rajonin jugor etj. Pjesë e këtij forumi ndërkombëtar është edhe njohja nga bisnesmenët dhe investitorët grekë e sistemit tatimor dhe doganor në Shqipëri, masat për nxitjen dhe mbështetjen e investimeve të huaja në vendin tonë etj.

Për kryetarin e Dhomës Rajonale të Tregëtisë dhe Industrisë në Gjirokastër, Musatafa Devolli, “ky forum ndërkombëtar për biznesin ka si qëllim të prezantojë resurset që ofron Gjirokastra dhe rajoni në tërësi për investimet vendase dhe të huaja”. “Takime të tilla janë të dobishme për të promovuar vlerat e qyteti të Gjirokastrës për të tërhequr investitorët dhe sidomos bizneset e huaja”, ka pohuar në lidhje me këtë aktivitet kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime. Ndërkohë Presidenti i Dhomës së Industrisë të Athinës, Pavlos Ravanis është shprehur se “ ky forum është një pikë e rëndësishme kontakti dhe njohje e resurseve dhe vlerave që ofron qyteti i Gjirokastrës dhe Jugu i Shqipërisë për biznesmetë dhe investitorët grekë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›