E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci", Pinari dhe Minxolli dënohen me 18 vjet burg

Gjykata e Tiranës ka dhënë sot verdiktin final për të akuzuarit e tragjedisë së Gërdecit. Vendimi vjen vetëm tre ditë para se të shënohet 4-vjetori i tragjedisë së Gërdecit ku vdiqën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.
 

Edhe pse prokurorët e çështjes kishin kërkuar masën e dënimit maksimal për tre të akuzuarit kryesor, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli, trupi gjykues ka vendosur të dënuar me nga 18 vjet burg Ylli Pinarin dhe Dritan Minxollin ndërsa ka dhënë 10 vjet burg për Mihal Delijorgjin.
 

Megjithëse prokuroria kishte kërkuar 23 vjet burg për ish-mbikqyrësin e ndërmarrjes MEICO në Gërdec, Sokol Ngjeçi dhe 8 vjet për për ish-shefin e Shtabit të Ushtrisë Luan Hoxha gjykata ka dhënë vetëm 10 vjet burg për Ngjeçin dhe 6 vjet burg për Luan Hoxhën.

Gjithashtu Gjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshëm Ardian Mullain dhe Agim Lalën, ish-ushtarak i forcave të armatosura.

Shpallja e vendimit ka ngjallur indinjatë tek familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit të cilët kanë protestuar ndaj vendimit të gjykatës. Zamira Durda, e cila ka humbur djalin e saj të mitur nga shpërthimi i 15 marsit 2008 ka kundërshtuar me forcë vendimet duke  bllokuar derën. Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit theksuan se dënimi ndaj të pandehurve ishte tepër i lehtë dhe i padrejtë krahasuar me tragjedinë që shkaktuan. Ata  e kanë cilësuar vendimin e gjykatës për të pandehurit si një turp për drejtësinë shqiptare.

Në 15 mars përkujtohet 4 vjetori i tragjedisë në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona, mbi 300 të tjerë u plagosën si dhe u dëmtuan shumë banesa e biznese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›