Gërdeci dhe një qeveri e mbushur me njerëz mendjelehtë
Një nga gazetarët e njohur në Tiranë që ka patur lidhje me gazetarin e “Nju Jork Tajms” që shkroi për trafikun e armëve nga Shqipëria, në një intervistë që e lexova në internet thotë:
“Nga faktet u bindëm se kishim të bënim me një trafik të pastër në industrinë ushtarake të mbështetur nga qeveria. Pjesa më e errët e kësaj historie është investimi personal i Ministrit të Mbrojtjes në këtë aferë. Tentimi i tij që prokurimi të bëhej direkt nga Këshilli i Ministrave është skandaloz dhe i mjaftueshëm që ai tashmë të arrestohet për tentim të kapjes së shtetit për interesa private.
Në relacionin që ai ka dërguar e shpall “SAC” si një nga tri kompanitë më të specializuara në botë për këtë punë, sidomos për kalibra fishekësh të vegjël, ndërkohë që siç rezulton, ajo është thjesht një kompani spekulative dhe pa autoritet për të qenë partnere e një qeverie të besueshme. Skenari, sipas meje, ka qenë i thjeshtë.
Delijorgji ka marrë siguri nga autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes për këtë kontratë, ka gjetur letrat e një kompanie amerikane jo serioze, u ka dhënë një përqindje të caktuar atyre dhe ka fituar një monopol fitimprurës që shkaktoi në finale një tragjedi të pashembullt.
Kjo histori është e rëndë edhe pa viktimat në mes. Është e rëndë, se është histori e pastër e korrupsionin shtetëror. Është histori tipike mafioze, ku pleksen shumë fije që nisin nga zyrat e qeverisë. Me viktimat e shpërthimit, çmimi i saj bëhet i rëndë dhe i papërballueshëm për një qeveri të mbushur me njerëz mendjelehtë”.