Ish-ushtarakët, pensionet rriten vetëm 5%
Qeveria vendosi rritjen e pensioneve edhe për ish-punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës, SHISH dhe minatorëve
TIRANË- Pas një hezitimi të gjatë, qeveria vendos të zgjidhë “qesen” edhe për ish-ushtarakët që kanë dalë në pension të parakohshëm. Por ndryshe nga pretendimi i kësaj kategorie, për një trajtim të veçantë sipas gradës dhe vjetërsisë në punë, Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin për t’i rritur pensionet e tyre në mënyrë të përgjithshme, pa bërë diferencime në masën e vetëm 5%-shit të pensionit aktual. Një masë rritjeje kjo, sa gjysma e rritjes që qeveria ka vendosur t’i bëjë pensioneve normale në qytet.
Rritja në përqindje
Por kategoria e ish-ushtarakëve përbën vetëm një nga grupet përfituese të këtij vendimi. Kështu, në të parashikohet që të gjitha pensionet e parakohshme, pensionet suplementare, trajtimet e veçanta dhe të ardhurat e tjera të përhershme që përfitohen nga ish-ushtarakët, ish-punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit Informativ të rriten me 5 për qind. Gjithashtu, në këtë projektvendim parashikohet të rriten në masën 5% edhe një sere trajtimesh të veçanta që përfitohen nga pilotët fluturues, ushtarakët e nëndetëseve, punonjësit e industrisë ushtarake etj. Pjesë e integruar e këtij vendimi është edhe një pikë e veçantë, që ka të bëjë me pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të cilat ashtu si edhe kategoritë e sipërcituara propozohet të rriten në masën e 5%shit. Ndërhyrja që ka bërë qeveria për këtë kategori të veçantë, vjen pas refuzimit që i bëri mazhoranca nismës së opozitës për një trajtim të veçantë dhe më të mirë të punonjësve të nëntokës. Ndërkohë pensioni normal i pleqërisë që përfitohet nga ushtarakët, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, ashtu si dhe gjithë pensionistët e tjerë në qytet, do të përfitojnë rritje në masën e 10%-shit
Pensionet në lekë
Pas rritjes që propozohet, një pension maksimal për vjetërsi shërbimi do të arrijë në 181 mijë lekë të vjetra. Ndërsa një pension maksimal suplementar do të shkojë në rreth 90 mijë lekë të vjetra në muaj dhe për punonjësit e industrisë ushtarake do të shkojë në afro 108 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë që një minator që ka punuar në nëntokë, do të arrijë të marrë vetëm 64 mijë lekë të vjetra. Këto kategori, ashtu siç bëhet e ditur edhe në materialin shoqërues të këtij vendimi, krahas të ardhurave nga pensionet, do të vazhdojnë të marrin të ardhura të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave. Nga ky vendim parashikohet të përfitojnë afro 22 600 ushtarakë dhe 4 500 minatorë. Fatura financiare e zbatimit të këtij vendimi do të jenë afro 1 miliardë lekë dhe do t’i shtrijë efektet që nga data 1 Korrik 2008.
Tabelë
Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensionet suplementare të pleqërisë, ato të invaliditetit të ushtarakëve rriten në masën e 5%-shit.
Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensionet suplementare të pleqërisë, ato të invaliditetit të ish-punonjësve të Policisë së Shtetit rriten në masën e 5%-shit.
Trajtimi i veçantë i pilotëve fluturues në pension rritet në masën 5 për qind.
Trajtimi i veçantë financiar i efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues, të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare në pension rritet në masën 5 për qind.
Trajtimi i veçantë punonjësve të disa ndërmarrjeve ushtarake rritet me 5 për qind.
Trajtimi i veçantë i punonjësve që kanë punuar në minierë, në nëntokë, rritet në masën 5 për qind.
Tabelë
Pensioni maksimal për vjetërsi shërbimi do të arrijë në 181 mijë lekë të vjetra.
Pensioni maksimal suplementar do të shkoj në rreth 90 mijë lekë të vjetra në muaj.
Pensioni i punonjësit të industrisë ushtarake do të shkoj në afro 108 mijë lekë të vjetra.
Një minator që ka punuar në nëntokë do të arrijë të marrë vetëm 64 mijë lekë të vjetra.