Patozi: Kemi punuar për Kodin, por nuk kemi një draft

Partia Demokratike do të presë ngritjen e komisionit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të bërë propozimet e saj për këtë çështje. Ndërsa Partia Socialiste ka përgatitur një draft të plotë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, edhe Partia Demokratike pritet që të paraqesë propozimet e saj, të cilat tashmë duket se janë përgatitur. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, thotë për “Korrierin”, se Partia Demokratike ka punuar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por akoma nuk është hartuar një draft që të mund të paraqitet. Sipas Patozit, gjithçka mbetet në kuadrin e propozimeve që do të bëhen nga ana e partisë qeverisëse, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia e propozimit të një drafti të plotë që mund të bashkohet me atë të Partisë Socialiste. Vetë Partia Demokratike tashmë ka shprehur gatishmërinë e saj që të mbështesë propozimet e Partisë Socialiste për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por, nga ana tjetër, duket se këtë radhë PD-ja nuk do të qëndrojë në pozicion “pritës”, por do të bëjë edhe ajo propozimet e saj. Një ndër çështjet që aktualisht ka mbetur e pambyllur, është edhe çështja e aleatëve të djathtë, të cilët kanë deklaruar se do të bëjnë disa propozime për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndërsa kanë kundërshtuar edhe vetë Partinë Demokratike për qëndrimin e saj në lidhje me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Dy aleatët kryesorë të PD-së, republikanët dhe demokristianët, kanë nisur të shprehen hapur kundër ndryshimeve të shpejta në Kodin Zgjedhor. Dy ditë më parë, kreu i grupit parlamentar republikan, Arian Madhi, shprehu qëndrimin e tij kundër ndryshimeve të shpejta dhe të padiskutuara të Kodit Zgjedhor. Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili ka deklaruar se nuk do të lejojë që ndryshimet e Kodit Zgjedhor të bëhen pa debat dhe pa u diskutuar. Nga ana tjetër, aleatët kanë kërkuar që të mblidhet tryeza e djathtë për të diskutuar edhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që mazhoranca të dalë me një qëndrim të përbashkët për këtë çështje. Kërkesat e mundshme të aleatëve të djathtë, mund të bëjnë që Partia Demokratike të dalë me propozimet e saj për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, ndërsa nuk përjashtohen mundësitë që edhe vetë partitë e vogla të bëjnë propozimet e tyre. Deri tani, një propozim i deklaruar është ai i republikanëve, të cilët kanë kërkuar që në Kodin Zgjedhor të përcaktohet edhe mënyra e votimit të emigrantëve shqiptarë në vendet ku ata jetojnë. Ndërkohë, propozime të tjera pritet të vijnë edhe nga demokristianët, të cilët kanë deklaruar më parë edhe mundësinë e një propozimi, që kandidimi i personave me të kaluar “të errët” të ndalohet nëpërmjet një neni të veçantë në Kodin Zgjedhor. Ndërkohë, pak kohë më parë burimet në mazhorancë i thanë “Korrierit” se, në rast se Partia Demokratike nuk përfshin në diskutime kërkesat e aleatëve, dy nga aleatët kryesorë, PR-ja dhe PDK-ja, mund të konkretizojnë idenë e tyre për daljen nga koalicioni dhe krijimin e një poli të dytë politik brenda së djathtës. Ideja e krijimit të një poli të dytë brenda së djathtës, sipas deklaratave të përfaqësuesve të PR-së dhe PDK-së, varej nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor.