E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse u vra gazetari Ali Ukaj

Ekzekutimi makabër dyshohet se nuk është bërë për shkak të lidhjeve që ai kishte me UÇK-në

TIRANË - Në vrasjen e gazetarit kosovar Ali Ukaj, ekzekutimi makabër i të cilit dyshohet se ka lidhje me zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, nuk kanë “gisht” Shërbimet Sekrete Shqiptare të asaj kohe. Burime të gazetës “Korrieri” bënë me dije, se vrasja e Ukajt nuk është përgatitur dhe nuk ka kaluar përmes kanaleve zyrtare, siç dyshohet se është kryer rrëmbimi dhe më pas zhdukja rreth 13 vjet më parë e Remzi Hoxhës. Ashtu sikundër burimet përjashtojnë dhe vrasjen e kryer për shkak të përfshirjes së tij në struktura drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-drejtues të lartë politikë të UÇK-së bënë të ditur dje për gazetën “Korrieri”, se gazetari Ali Ukaj ka pasur lidhje me disa struktura të luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sidomos me ato që lidheshin me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Mirëpo, sqaruan burimet, ai nuk ka qenë në struktura drejtuese të kësaj lufte, ndërkohë që ka shkruar shkrimet e para në “Gazetën shqiptare”, në mbrojtje të UÇK-së, duke iu referuar asaj kohe liderëve të Lëvizjes Popullore të Kosovës e duke dhënë kësisoj më saktë dëshmitë e para të ekzistencës së strukturës së armatosur të UÇK-së, e cila ndërkohë gati nuk besohej se ekzistonte në verën e 1997-ës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës vetëm pak kohë më vonë do të jepte provat e saj të fuqishme të ekzistencës dhe shtrirjes së gjerë. Lidhjet me UÇK-në mendohet se Ali Ukajt i kanë ardhur nëpërmjet njohjes së tij të hershme me kryeministrin aktual të Kosovës, Hashim Thaçin dhe nga Kadri Veseli. Përjashtimi i pistës së vrasjes së ndodhur për shkak të lidhjeve të krijuara me UÇK-në dhe të organizuar në ndonjë rast të mundshëm nga Shërbime Sekrete Shqiptare, sipas po të njëjtit burim, vjen nga fakti se asaj kohe Ukaj jo vetëm që nuk ishte në strukturat drejtuese të UÇK-së, por dhe se në atë kohë në Tiranë vepronin aktivistë shumë më të rëndësishëm dhe drejtues madhorë të UÇK-së, si Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, anëtar i kryesisë së LPK-së, vepronte herë pas here Ali Ahmeti, Ibrahim Kelmendi, të gjithë eksponentë të njohur, të cilët mund të ishin “goditur” nga Shërbimi Informativ Shtetëror, në rast se do të duhej të goditej UÇK-ja. Por në fakt, shtojnë burimet, me ndryshimin e partive në pushtet dhe me ndryshimin e krerëve të shërbimit sekret, Ali Ukaj filloi të gërmojë rreth fatit të ish-shokut të tij, Remzi Hoxha, dhe pikërisht këto “gërmime” rreth fatit të biznesmenit mund të jenë bërë shkas që ai të eliminohet nga struktura, ose persona të interesuar për t’i mbyllur gojën. Kjo është gjithsesi njëra pistë...  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›