E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, karroca u saldua, gjysmë ore para shpërthimit

Roja: Ditën e ngjarjes u salduan tri karroca njëra pas tjetër nga Qemal Deliu, jashtë ambienteve të fabrikës me urdhër të Minxhollit


Një nga ish- punonjësit e fabrikës tregoi se kishte parë disa herë Pinarin aty, dhe një herë e kishte ndaluar të hynte pasi nuk e njihte


TIRANË- Saldimi i karrocave që përdoreshin për transport fishekësh apo të baruti, në ish- fabrikën e Gërdecit, ishte një veprim krejtësisht i zakonshëm. Ky fakt u pohua në seancë e radhës së procesit në fjalë ndaj 28 të akuzuarve, nga dy dëshmitarë gjatë seancës gjyqësor të radhës, ku njëri prej tyre ishte roja i objektit në momentet e shpërthimit dhe tjetri po në të njëjtën funksion, por para shpërthimit. Dëshmitari i parë, Fejzo Shehu, pohoi para trupit gjykues se karrocat saldoheshin jashtë ambienteve të fabrikës, por vetëm me urdhër të drejtuesve të saj.


46 vjeçari Shehu, nga Skrapari dhe banues në Vorë, ishte njëri prej gjashtë dëshmitarëve të procesit të Gërdecit, që rrëfeu dje para treshes gjykuese se datën e shpërthimit janë salduar tre karroca, nga i njëjti person që ai e nuk e njihte në atë kohë me gjeneralitete të plota. "Unë atë ditë zëvendësova një kolegun tim, pasi ai kishte ikur në Vlorë. Di që për transport përdoreshin karrocat.


Ditën e ngjarjes kanë dalë tri karroca për saldim nga fabrika dhe i nxori i njëjti person, që ishte një burrë i hollë dhe i zeshkë, që më vonë mora vesh që quhej Qemal Deliu. Rreth orës 11. 00 të datës 15 mars, personi që i saldonte doli nga fabrika bashkë me karrocën dhe u kthye pas 30 minutash"- u shpreh dje në seancën gjyqësor të çështjes Gërdeci, Fejzo Shehu, i cili ka qenë duke shërbyer si rojë i fabrikës ditën e ngjarjes.


Dëshmitari ka treguar me detaje edhe momentet e shpërthimit të ish- fabrikës së Gërdecit. Sipas tij ai rreth orës 12. 00 të datës 15 mars, është nisur brenda ambienteve të ish- fabrikës për t'i dërguar një qese me ushqime njërit prej punëtorëve, kur më pas ka konstatuar që disa thasë me barut kishin marrë flakë.


"Dritani dhe Vangjeli po dilnin nga fabrika, ndërsa unë u nisa brenda saj. Sa shkoj aty pashë flakë mbi thasët e barutit që ishin grumbulluar në një vend të caktuar dhe flaka nga vendi ku unë rrija ishte rreth 60 metra. Punëtorët po qanin dhe bërtisnin dhe në këto momente unë largohem.


Në mes të rrugës, duke ikur ndodh shpërthimi i parë, më pas kur dal tek mbikalimi i Gërdecit me disa punëtorë të tjerë ndodh shpërthimi i dytë"- tregoi dje 46 vjeçari Fejzo Shehu, i cili ditën e tragjedisë kishte zëvendësuar një kolegun e tij në vendin e quajtur si vendroja nr. 1 në ambientet e ish- fabrikës. Për saldimin e karrocave ka dëshmuar edhe ish- roja tjetër i objektit, i cili ka treguar se karrocat saldoheshin me urdhër të drejtuesve të fabrikës.


Zigur Canaj dëshmoi dje se karrocat saldoheshin tek shtëpia që ishte më afër fabrikës. Canaj tregoi se ka parë edhe kamionë me targa të huaja që vinin për të marrë barutin që dilte nga demontimi i municioneve.


Ky i fundit në dëshminë e tij ka pohuar se në ambientet e fabrikë kishte vajtur edhe Ylli Pinari, me makinë private. Ish- roja i fabrikës që shpërtheu më 15 mars të dy viteve më parë pohoi se Pinarin nuk e njihte se çfarë funksioni kishte dhe sipas tij në një rast nuk e kishte lënë të hynte në fabrike, derisa kishte marrë urdhër nga Dritan Minxholli. Ndërsa sipas dëshmitarit, administratori i "Alba Demil", Mihal Delijorgji, vinte shpesh, pothuajse një herë në dytë për të parë punën në fabrikë.


Agim Vrana: Për herë të fundit fola në radio me policin

Në listën e dëshmitarëve që ishin thirrur dje në procesin Gërdeci ishte edhe Agim Vrana, i cili ka qenë administrator dhe drejtues tek i shoqërisë "Vrana" sh. p. k, që kishte nënshkruar marrëveshje me kompaninë "Alba Demil" për ruajtjen e sigurisë në ambientet e ish- fabrikës në Gërdec.


"Vëllai i Mihal Delijorgjit na orientoi për të punuar në Gërdec dhe ne më pas nënshkruam një marrëveshje për ruajtjen dhe sigurimin e fabrikës nga vjedhjet apo grabitjet. Kam qenë disa raste në Gërdec, edhe para shpërthimit dhe për shpërthimin jam njoftuar nga vëllai im që jeton në Vorë.


Komunikimi i fundit është bërë me radio me Fejzo Shehu, i cili më pas nuk u përgjigj edhe në telefon. Më vonë morëm vesh që kishte shkuar në spital pasi kishte pësuar disa dëmtime nga shpërthimi"- tregoi Agim Vrana, ish administrator i shoqërisë "Vrana sh. p. K, e cila e ka ndërprerë aktivitetin e saj që pas datës 15 mars 2008, kur ndodhi shpërthimi në ish- fabrikën e Gërdecit.


Ish- punëtorët përsërisin
Nuk kishte kushte sigurie në punë


Edhe në seancën e djeshme kanë dëshmuar ish- punëtore të fabrikës, që treguan kushtet e punës dhe mënyrën se si janë pranuar për të punuar. Besnike Halili, 32 vjeçe, banore e Gërdecit, ka dëshmuar dje për proceset e punës që ajo kryente në fabrikë. " Dritan Minxholli më ka marrë në punë dhe hapja arkat me municione që vinin në fabrikë. Nuk kam pasur asnjë kontratë për punën që bëja, dhe nuk isha e siguruar.


Para se të fillonim punë jemi mësuar nga drejtuesit e fabrikës për mënyrën se si do të kryenim proceset e punës dhe njëri prej atyre që na mësonte ishte dhe Dritan Minxholli. Arkat hapeshin me levë, daltë dhe më pas një grup i caktuar merrej me nxjerrjen e fishekëve, pasi proceset ishin të ndara.


Transporti materialeve që dilnin gjatë çmontimit të fishekëve bëhej me karrocë nga vetë punëtorët e fabrikës. Unë nuk kam parë ndonjëherë ndonjë zjarr, por mbaj mend për kohën që kam punuar që ka pasur disa raste shkëndija zjarri.


Fikëset e zjarrit ishin të vendosura në Ditën e ngjarjes, kam qenë në shtëpi dhe fabrika ndodhej rreth 200 metra larg vendit të shpërthimit. Nga anëtarët e familjes nuk mbeti njeri i dëmtuar, vetëm na u shkatërrua shtëpia"- mbylli dëshminë një nga banoret e Gërdecit dhe ish- punëtore në fabrikë.

Gjykata e Lartë
Pushohet padia e familjarëve ndaj Mediut, nuk ka prova


TIRANË- Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e "shpëtoi" për të dytën herë nga gjykimi për tragjedinë e Gërdecit, ish-ministrin e Mbrojtjes, tashmë me detyrën e ministrit të Mjedisit, deputetin Fatmir Mediu.


Pas pushimit disa muaj me parë të akuzës për "shpërdorim detyre" për shkak të imunitetit të deputetit, një tjetër kolegj gjykues, i kryesuar nga Andi Çeliku, ka vendosur të mos e shqyrtojë padinë penale, të ngritur nga dy të dëmtuarit e tragjedisë, i mituri Roxhers Durda dhe 30 vjeçarja Alketa Hazizaj për akuzën e "plagosjes së rëndë nga pakujdesia" për ish-ministrin Mediu.


Në arsyetimin e saj gjykata u shpreh se nga provat e paraqitura nga dy paditësit nuk ka elemente të veprës penale të plagosjes dhe rrjedhimisht nuk mund t'i drejtohen parlamentit për heqjen e imunitetit ndaj Mediut.


Ky vendim ka ngjallur reagimin e familjareve të viktimave të cilët thanë se do të vazhdojnë të ndjekin rrugën ligjore për të vënë para përgjegjësisë autorët e tragjedisë. Ndërsa për dy avokatet Ardian Visha dhe Petrit Seriani që mbrojnë deputetin Mediu, vendimi i djeshëm është një precedent edhe për rastet e tjera po të njëjtës akuzë.


Avokatët që mbronin dy të dëmtuarit kishin paraqitur në gjykate të njëjtat prova që Prokuroria kishte sjellë në procesin e parë ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes për akuzën e "shpërdorimit te detyrës" dhe jo "plagosjes nga pakujdesia".


Kjo gjë ka ngjallur reagimin e dy mbrojtësve të Mediut të cilët pretenduan se për këto prova ishte dhënë njëherë një vendim pushimi nga prokuroria, ndërsa qëllimi i vetëm i këtij gjykimi kishte prapavije politike. Sipas diapozitivit të vendimit, mësohet se Kolegji Penal ka vendosur mos fillimin e procedimit penal ndaj Mediut për veprën penale të "plagosjes së rëndë nga pakujdesia".


Ish- drejtuesi i Antikrimit Ekonomik në Durrës, transferohet në të njëjtën detyrë në kryeqytet


Dritan Rreshka në krye të Task- Forces në Tiranë

Tiranë- Emërohet drejtuesi i ri i njësisë së Task- Force, së Prokurorisë së Tiranës, duke plotësuar në këtë mënyrë vendin e lënë bosh prej disa muajsh, pas largimit nga ky funksion të Altin Dumanit. Dritan Rreshka do të jetë shef i njësisë Hetimore të Antikrimit Ekonomik dhe Financiar në Prokurorinë e Tiranës.


Lajmi është bërë i ditur për "Shekullin", nga burime Prokurorisë së Përgjithshme të cilët pohuan se Rreshka, pritet të marrë detyrën e drejtuesit të Task- Force së Prokurorisë së kryeqytetit, duke u rikthyer në njësinë në të cilën ai kishte punuar më parë se të emërohej Durrës. Aktualisht prokurori Rreshka, mban funksionin drejtuesit të njëjtës njësi të Antikrimit Ekonomik, në Prokurorinë e Durrësit, që nga koha e krijimit të saj.


Më parë se të trensferohej në Durrës, emri i ri që do drejtojë hetimin e korrupsionit, krimit ekonomik dhe financiar në kryeqytet, ka kryer detyrën e prokurorit dhe të Prokurorit të Antikrimit Ekonomik, deri në krijimin e njësisë Task- Force në kryeqytet ndërsa më pas u transferuar në drejtimin e njësisë në Durrës. Emërimi i Rreshkës, u krye me firmë të kryeprokurores Ina Rama.


Emri i Rreshkës, rezultonte në listen e 15 kandidatëve, që kishin dorëzuar CV-të e tyre në Këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme për t'u emëruar në krye të Prokurorisë së Durrësit në rolin e drejtuesit të këtij instiucioni.


Ky funksion qëndron vakant që prej më tepër se pesë muajsh, që nga koha kur ish- prokurori i Rrethit, Arian Ndoja, paraqiti dorëheqjen e tij të parevokueshme tek Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama.


Ndoja la detyrën e drejtuesit duke marrë detyrën e prokurorit të thjeshtë. Emri i ri i mundshëm për të drejtuar organin e akuzës në qytetin e Durrësit, pritet të mësohet, me 12 mars, rreth dhjetë ditë më vonë, kur pritet të mblidhet këshilli i Prokurorisë.


Në Rendin e ditës së këtij organi, të Prokurorisë së Përgjithshme, pritet të jetë shqyrtimi i 15 kandidaturave të mbërritura për drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për vendin vakant, si dhe masat disiplinore të propozuara nga Drejtoria e Inspektimit të Prokurorisë së Përgjithshme ndaj ndaj pesë prokurorëve të kësaj prokurorie.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›