E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci si prozhektor mbi korruptimin e ushtarakëve

Zhvillimet më të fundit në Prokurori gjatë seancave hetimore dhe ballafaquese, ndaj dhe midis personave përgjegjës, atyre të konsideruar si dëshmitarë okularë, apo si zyrtarë që kanë dijeni për parangjarjen dhe ngjarjen, si dhe njoftimet respektive në media, jo vetëm që kanë hedhur dritë mbi thelbin e tragjedisë së Gërdecit, por kanë shënuar një pikë kulmore tejet të pëlqyeshme e të shumëpritur: ballafaqimin e paevitueshëm të versioneve dhe kampeve civile e ushtarake në ministrinë e Mbrojtjes. Çka do të thotë se nëpërmjet këtyre ballafaqimeve dhe deponimeve dypalëshe, më në fund u hap edhe “Sezami” dhe “thesi” i ushtarakëve madhorë të Shtabit të Përgjithshëm, për të cilët s’kam as dyshimin më të vogël se janë bash përgjegjësit kryesorë të tragjedisë, pasi me neglizhencën, mosdashjen dhe moskëmbënguljen e tyre për zbatimin me çdo kusht të ligjeve normative, rregulloreve dhe rregullave, padyshim që jo vetëm nuk e parandaluan, por i ndihën shpërthimit dhe tragjedisë.
Gjithsesi, gojët e hapura të ushtarakëve kanë shumë për të thënë dhe kanë çfarë të thonë konkretisht në sensin e zbardhjes së të vërtetave të mëdha që shoqëruan dhe kushtëzuan shpërthimin e katastrofës vrastare në Gërdec.
Me bindjen se këta ushtarakë madhorë vepruan kësisoj, realisht duke mos vepruar fare por duke soditur, me lehtësi kaloj në konkluzionin se këta uniformaxhinj spaletaxhinj, për të cilët e kam fjalën, as kanë qenë dhe as janë ushtarakët më të mirë që ka pasur Ushtria shqiptare. Çka do të thotë se ata janë hierarkuar dhe graduar jo për merita akademike, dijesh të thella, përvoje dhe rezultatesh bindëse, superuese ndaj atyre të kolegëve më të aftë e të fiksuara nëpër dosjet personale dhe C/V-të, porse ngaqë u janë qepur si morra politikës dhe politikajve për t’u hierarkuar, çka edhe e kanë arritur, për të arritur njëherësh edhe deri këtu ku arritën, aqsa mundën të na bëjnë gjëmën..., dhe sot të fshihen pas gaxhoit, pas civilëve, edhe për çështje kaq delikate sikundër janë kuadri ligjor dhe nënligjor për administrimin dhe menaxhimin e municioneve që shkaktuan katastrofën kur shpërthyen në kushtet e moskontrollit dhe të mosmarrjes së situatave dhe menaxhimit nën kontroll.
Ua hëngërt dreqi kësaj kategorie, kualifikimet në strukturat e NATO-s dhe bashkë me to edhe literaturën e destinuar për ta, krahas edhe investimeve të mëdha financiare të shtetit për kualifikimin e tyre dhe përafrimin e dijeve të tyre dhe standardeve që ata do të vendosnin dhe jetësonin në Ushtrinë tonë konform atyre të NATO-s, ku edhe shpresojmë të anëtarësohemi. Për çfarë dreqin i duhen NATO-s dhe Shqipërisë ky takëm guakësh të paaftë dhe skuthë sypërmbysur, që i qepen pas duke iu lëpirë politikës, të cilën e marrin në qafë bashkë me veten, atdheun dhe shqiptarët, pasi u gatuajnë katastrofa në kohë paqeje.
Nuk mund t’i harroj momentet jo të largëta të konfliktit në Kosovë, kur nga reportazhet nga terreni dhe lajmet e telestacioneve tona e atyre ndërkombëtare, ne shqiptarët gjakngrirë të këtej kufijve administrativë ndiqnim me dhimbje e lotë komunikatat dhe kumtet e mbushura me shifrat e viktimave ndër bashkatdhetarët. Dhe nuk mund të harroj sesi një i ashtuquajtur gjeneral shqiptar ngrefosej për “situatën që e kish nën kontroll në kufijtë tanë verilindorë”, ngaqë nëpërmjet një kolegut tonë, sot deputet, mësuam gjithashtu se bash në vijën kufitare ndërshqiptare vigjëlonin sypatrembur ushtarët dhe oficerët tanë “të armatosur me arsenalin bashkëkohor të mijëra grykave të katjushkave, artilerisë së rëndë tokësore dhe mortajave të të gjitha kalibrave...”, etj., etj..
Dhe ne besuam, ndonëse askush nuk na e hiqte dhimbjen për mijëra vëllezërit dhe motrat e masakruara përtej kufirit që ruante ky farë gjenerali me trimat e tij. Ndofta nganjëherë e futëm edhe shpirtin në gjynah kur menduam se kësisoj dhe me këta farë trimash... të paktën nuk u krijuam mundësi serbëve t’i shtonin viktimat e shtazërisë antishqiptare edhe me hasjanë, kuksiane e tropojanë gjithashtu të pafajshëm..., por ishim gabuar rëndë. Ishim gabuar sepse bash ky takëm ushtarakësh trima dhe liridashës, thjesht raportoi se ndoca ushtarë serbë kishin kaluar kufijtë tanë shtetërorë, porse nën praninë e grykave të topave dhe trimave stërnipër të Gjergj Elez Alisë dhe Mujit e Halilit, që i qëndronin dhëmb për dhëmb Bajlozit të Zi, serbët ishin detyruar të tërhiqeshin nga kishin ardhur, pra me bishtin ndër shalë, dhe se në shenjë hakmarrjeje, prej inatit që nuk gjetën shesh për të bërë përshesh, nga matanë “kufijve jugosllavë” kishin bombarduar me artileri ndoca kulla në Tropojë, nga ato të nipërve të trimave të Binak Alisë dhe Bajram Currit.
Por më vonë morëm vesh se “përsheshi i prishur” i serbëve nuk ishte tjetër veçse mbjellja e mijëra hektarëve tokë të zonave kufitare brendashqiptare me dhjetëra-mijëra mina surprizë, nga të cilat që nga paskonflikti e deri më tash kanë humbur jetën dhe po e humbin ende, jo pak por bash 360 malësorë shqiptarë dhe qindra të tjerë kanë mbetur invalidë për tërë jetën, ngaqë agresorët nuk i ndalën gjeneralët tanë në batërdinë e tyre, me pretekstin se... “kështu ishte vendosur nga NATO në Bruksel, për të mos u dhënë mundësi serbëve të kalonin në një konflikt ushtarak ndërshtetëror...!!!”???
Hajde përrallë hajde..., athua se NATO i kish ndaluar ushtarakët shqiptarë të vishnin uniformat e UÇK dhe të kalonin kufijtë ndërshtetërorë në ndihmë të vëllezërve, t’u jepnin mësimin historik të radhës dhe t’ua bënin varrin serbëve, si dikur Luma e Dibra në Kolesjan, Muhur, Arras..., si dikur shkodranët në Shkodër e Koplik, apo matjanët në Shkallë të Deshëve, Rrenx e Kakarriq, nën udhëheqjen e Ahmet Zogut. Apo si Azem Bejta, Shaban Polluzha dhe UÇK brenda në Kosovë.
Por jo, kjo nuk ndodhi, sepse këta farë trimash “nuk i la Brukseli..., nuk i la NATO..., se përndryshe...”.
Dhe asokohe, sikundër edhe sot, për dreq m’u kujtua konflikti ndërkorean i viteve 1950-1951, kur kinezët veshën uniformat e ushtrisë verikoreane dhe me surretërit e verdhë e të padallueshëm me koreanët, u vërsulën mbi trupat amerikane me tërbim... Dhe kjo e vërtetë që më trishton, krahas pasojave të këtij sulmi në jetë ushtarësh amerikanë që kishin shkuar për të luftuar kundër komunistëve, (gjë që fatkeqësisht nuk e bënë në Shqipëri kundër partizanëve të Enver Hoxhës), ndodhi thjesht për synime ideologjike, frymëzim antiamerikan dhe mosmirënjohje për ndihmën e madhe të SHBA-ve ndaj Ushtrisë së Kuqe kineze të udhëhequr nga Mao e Lin Biao, kundër japonezëve, për çlirim kombëtar. Ndihmë të cilën kinezët e përdorën në luftën civile kundër partisë dhe përkrahësve të Guomindanit të Çan Kaj Shi-së, ashtu sikundër e përdori Hoxha me 2800 tonë ndihma të “aletaëve të mëdhenj anglo-amerikanë gjatë LDB”, në luftën civile kundër Ballit dhe Legalitetit.
Por trimat tanë kuqo të Ushtrisë së Nanos dhe Majkos nuk e bënë këtë, dhe meqenëse në shumicë ishin kuqo, të paktën ta bënin si “kuqo-heronjtë shqiptarë të Luftës së Spanjës”, me shembullin e të cilëve u frymëzuan që në rini, nëpër shkollat ushtarake, “për shkak të urrejtjes kundër fashizmit” dhe si ndihmë internacionaliste ndaj brigadave proletare republikane spanjolle... sipas mësimeve të Kominternit”.
Por pasuesit e atyre kuqove nuk e bënë këtë në Kosovën e “miqve kosovarë” ndofta ngaqë për ta Sllobo dhe PS e tij nuk ishin “naci-fashistë”, pra nacional-socialistë serbë... Megjithatë, për turpin e tyre dhe për nderin tonë, e bënë dhjetëra djem heronj nga e mbarë Shqipëria, shumë nga të cilët dhanë jetën për çlirimin e Kosovës shqiptare, sikundër Indrit Cara me shokë.
Por qysh atëherë kaloi një dekadë, dhe trimat tanë gjeneralë, që nuk kanë bërë asnjë luftë dhe madje kur patën rastin as që i mbrojtën atdheun dhe bashkatdhetarët nga serbët, dhe që gradat e spaletat i morën në luftë me pilafin dhe groshën e kazanëve të Ushtrisë, më në fund e kuptuan se gradat mund të të shtohen nëse nuk bën luftë por lufton me mullinjtë e erës “për paqen” dhe futesh në NATO bashkë me privilegjet dhe rrogat e stërmëdha pa derdhur kurrfarë gjaku kundër antishqiptarëve dhe terrorizmit ndërkombëtar, por thjesht duke derdhur gjak fëmijësh në Gërdec, teksa i vinin të çmontonin predha...
Pra mjafton të analizosh se cilët janë këta trima, për të kuptuar se përse ndodhi ngjarja e Gërdecit, të cilës ata i ndihën me heshtje, me mosveprim, me furnizim me konteinerë dhe fadroma të Ushtrisë në ndihmë të Delijorgjit. Dhe natyrisht, pa harruar heroizmin e rrallë në moslejimin e instalimit të fabrikës së Mihalit në Bërzhitë.
Tashmë ata kanë vendosur të ruajnë lëkurën e tyre dhe spaletat e privilegjet, duke konkurruar me civilët e të gjithë niveleve përballë ligjit, Prokurorisë dhe ndëshkimit të merituar të Drejtësisë.
Natyrisht që civilët kanë përgjegjësinë e tyre, por nëse përjashtohen nga përgjegjësia ushtarakët, atëherë përse i kemi paguar dhe përse e marrin rrogën dhe i morën spaletat këta myteberë që lejuan gjëmën???
Por fatkeqësisht ata mendojnë se janë të pafajshëm, ndërkohë që kishin detyrë, jo vetëm të parandalonin gjëmën, por edhe të merrnin masa për të mos ndodhur sërish tragjeditë ku humbën jetën edhe kolegë të tyre ushtarakë, sikundër në Dhemblan të Tepelenës, por ku nuk arriti të shpëtojë as fadromisti efektiv e xhenios, nga Laçi.
Por unë e pata dhe e kam fjalën për shtabistët-ushtarakë-udhëheqës dhe jo për heronjtë ushtarakë komando dhe xhenierë, që bënë punë të shkëlqyera dhe mrekullira pas katastrofës së Gërdecit.
Ndaj ky shkrim le të shërbejë për të bërë dallimin, diferencën, midis fajtorëve-shefa dhe heronjve të thjeshtë të Ushtrisë sonë, që e meriton të futet në NATO bashkë me heronjtë ushtarakë të thjeshtë. Ndërsa shefat meritojnë të futen në burg, si shenjë mbajtjeje dhe ndarjeje përgjegjësie para ligjit dhe shqiptarëve. Nga Astrit KOLA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›