E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi i konfirmon Ali Ahmetit se është kapërcyer situata e emergjencës

Presidenti Topi priti dje në një takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë, Ali Ahmeti dhe delegacionin që e shoqëronte gjatë vizitës në Shqipëri. Presidenti Topi pasi u uroi mirëseardhjen, u shprehu falenderimet e sinqerta për ndjenjën e solidaritetit të admirueshëm dhe humanizmit të dëshmuar nga shqiptarët e Maqedonisë me rastin e shpërthimit tragjik të Gërdecit duke theksuar se ky është një mesazh tepër vëllazëror solidariteti. Presidenti Topi theksoi gjithashtu se situata e emergjencës është kapërcyer tashmë dhe po punohet me devotshmëri dhe profesionalizëm nga të gjitha strukturat e shtetit për rimëkëmbjen ekonomike dhe kalimin e traumës psikologjike duke u lënë kohën e duhur strukturave të drejtësisë për të zhvilluar hetime objektive, të pavaruara dhe të painfluencuara. Kryetari i BDI-së, z. Ahmeti shprehu edhe njëherë ngushëllimet e sinqerta për viktimat e ngjarjes tragjike të Gërdecit duke vënë në pah edhe gatishmërinë dhe solidaritetin e shqiptarëve të Maqedonisë për të dhënë ndihmesën e tyre të plotë në kapërcimin përfundimtar të pasojave të dhimbshme të kësaj ngjarjeje, që i ka tronditur e shqetësuar të gjithë. Kreu i shtetit pasi vlerësoi maturinë dhe ekuilibrin e plotë të faktorit politik shqiptar në Maqedoni dhe në mbarë rajonin, u shpreh se mbajtja e kontakteve, siç e tregon më së miri edhe takimi i sotëm, u kontribon ndjeshëm ruajtjes e forcimit të qëndrueshmërisë në Ballkan dhe realizimit të aspiratave integruese të të gjithë vendeve tona, ku vuri në dukje bindjen e plotë të marrjes së shpejti të ftesës për në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit dhe përmbushjen e perspektivës së anëtarësimit të mbarë rajonit tonë në familjen e madhe europiane dhe strukturat euro-atlantike.
Edhe Topalli priti dje liderin e BDI-së/Ndërkaq, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti gjithashtu në një takim Kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të Maqedonisë, Ali Ahmeti dhe përfaqësues të tjerë të kësaj partie. Ahmeti i shprehu Kryetares së Kuvendit ngushëllimet dhe solidaritetin për ngjarjen tragjike të Gërdecit ndërsa vlerësoi angazhimin e shpejtë të qeverisë për lehtësimin e pasojave të tragjedisë. Kryetarja e Kuvendit falënderoi zotin Ahmeti për mbështetjen dhe kontributin që shqiptarët në Maqedoni, dhe qeveria maqedonase kanë dhënë në përballimin e kësaj tragjedie. “Kjo ngjarje, na tronditi të gjithëve dhe vuri në lëvizje të gjithë kombin që tregoi shpirtin shqiptar kurajoz e bujar. Shteti reagoi me një mobilizim të të jashtëzakonshëm për një tragjedi të jashtëzakonshme. Ne do të vazhdojmë të jemi në këmbë deri sa gjithçka të ketë përfunduar. Zonat e rindërtuara do të reflektojnë vizionin dhe angazhimin maksimal të shtetit”. Gjatë takimit, znj. Topalli dhe z. Ahmeti diskutuan mbi zhvillimet në rajon duke u ndalur në zhvillimet politike në Maqedoni, në punën dhe përpjekjet për anëtarësimin e vendit në NATO. Kryetarja Topalli vlerësoi qëndrimin e forcave politike shqiptare në Maqedoni në interes të integrimit Euro-Atlantik, duke uruar që në Samitin e Bukureshtit vendet e A3-shit të marrin pa pengesë ftesën për anëtarësim. Bashkëbiseduesit diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe e rajonale dhe vlerësuan rolin e faktorit shqiptar në shërbim të paqes dhe stabilitetit në Ballkan e më gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›