E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdecisht i juaji

Edmond Tupja 

Pardje nga mesdita, tek pija një çaj në njërën prej kafe-librarive më intelektuale të kryeqytetit, sytë më shkuan te një gazetë, nga më të shiturat, në faqen e parë të së cilës lexova këtë fillimartikulli: “Tre të akuzuarit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit dhe skandalin e trafikut të armëve dyshohet se kanë investuar  pasuritë e tyre duke blerë prona në SHBA”.  Në qoftë e vërtetë, thashë me vete, do të ishte skandaloze dhe, madje, kriminale, të vësh pasuri të paluajtshme me paratë e fituara nga gjaku i pafajshëm i shqiptarëve të Gërdecit si edhe nga gjaku, ndoshta po aq i pafajshëm, i atyre që ndërvriten nga predhat dhe plumbat e armëve kineze që me gjasë janë shitur nga tregtarët shqiptarë të armëve, pra, të vdekjes, në Irak, Afganistan apo gjetiu. Gjithsesi, vazhdova arsyetimin tim të heshtur pasi e kisha lexuar me durim e kureshtje deri në fund artikullin në fjalë, Prokuroria e Republikës po punon në këtë drejtim për të verifikuar nëse dyshimi i sapopërmendur në krye të këtij shkrimi, është i bazuar.
U mbush viti që kur ka ndodhur tragjedia e Gërdecit dhe disa  gjëra janë sqaruar lidhur me të, por ka të tjera që mbeten për t’u sqaruar. Me një fjalë, palët e ndryshme që përballen lidhur me këtë çështje, sidomos dy krahët e spektrit politik, vazhdojnë të gërdecojnë në debate pa fund, me teza, hipoteza e argumente nga më të ndryshmet deri në kundërshti. Ky gërdecim po merr tani, në prag të zgjedhjeve të qershorit, një ngjyrim të veçantë, sepse, sipas meje të paktën, ai sa vjen e po zbrazet nga shqetësimi moral për t’u kthyer në një kartë të mirëfilltë elektorale. Këtë kartë e majta vazhdon ta përdorë me cinizëm e djallëzi kundër së djathtës, e djathta reagon duke e akuzuar të majtën për instrumentalizim të paturpshëm të Gërdeciadës e kjo lojë pingpongu po vazhdon gër-gër gërdecisht prej më se një viti, ndërkohë që banorëve të Gërdecit me gjasë ende u ushtojnë veshët dhe shpirti nga gjëmimet e predhave.
Përfytyroni se ç’vlerë do të merrte kjo kartë elektorale sikur të vërtetohej që sidomos njëri prej tre të akuzuarve kryesorë për tragjedinë e Gërdecit, ish-ministër dhe kryetar partie, paskej investuar pasurinë e tij për të blerë prona në SHBA! Përfytyroni gjithashtu ç’vlerë të shtuar do të merrte kjo kartë sikur CIA të zbulonte, për habinë e të gjithëve dhe të vetë asaj, se i njëjti i akuzuar paskej blerë prona jo vetëm në SHBA, pra, në rruzullin tonë tokësor, por edhe jashtë tij, të themi në hënë! Opinioni publik shqiptar do të tronditej aq shumë nga ky lajm i pabesueshëm, por i vërtetë, saqë rrezik se do ta zinte sëmundja e hënës! Ç’është sëmundja e hënës? – Epilepsia, d.m.th. sëmundja e tokës. Si ajo e tokës së shpuar nga predhat e depove të Gërdecit. Por e shpuar është edhe sipërfaqja e hënës nga të ashtuquajturit kratere të saj. Epilepsia mund të quhet, pra, edhe sëmundja e Gërdecit, ndonëse, të paktën sipas fjalorit të gjuhës shqipe, “gërdec” i thonë sifilizit, kësaj sëmundjeje veneriane, d.m.th., ndër të tjera, seksualisht të transmetueshme. Por edhe sëmundja e Gërdecit mund të kthehet një ditë në sëmundje të transmetueshme, jo seksualisht, por politikisht, sepse shpërthime të tilla (depo municionesh në Shqipëri ka sa të hanë qentë, me katër apo me dy këmbë qofshin) mund të ndodhin përsëri, pavarësisht se cila parti do të jetë në pushtet.
Sigurisht, tragjedia e Gërdecit është kthyer në kartë elektorale se shpërthimet e predhave i dëgjuan të gjithë, rrënimet e viktimat i panë të gjithë, por sa e sa tragjedi të ngjashme kanë ndodhur prej dekadash të tëra e janë harruar pikërisht se nuk kanë pasur shpërthime, rrënime e viktima të dukshme si ato të Gërdecit! Kur e mendoj një gjë të tillë mbarë politika shqiptare, kjo gërdallë që më ngjall gërdi, më shtyn të ulërij nga dëshpërimi deri në kupë të qiellit sidomos kur hëna është e plotë. Dhe më vjen të arratisem në hënë që të jem sa më larg gërdallës në fjalë. Dhe, me të mbërritur atje, të bëj kërkime për të verifikuar nëse ndonjëri nga tre të akuzuarit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit ka blerë prona në sipërfaqe apo në thellësi të satelitit të Tokës. Dhe nëse po, t’i përshëndes ata me formulën e re plot ironi të merituar “Gërdecisht i juaji”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›