Kukës, udhëtarët dy net mes borës
KUKES/ PESHKOPI
Situatë kaotike në rrugën nacionale që lidh Kukësin e Kosovën me pjesën tjetër të vendit në segmentin rrugor Qafë Shllak–Qafë Mali 10 km e gjatë. Dhjetëra udhëtarë dhe drejtues mjetesh e kanë kaluar natën e së premtes në të ftohtë të paparë dhe në dëborë. I njëjti fat dukej se do t’i priste dhe mbrëmjen e djeshme, pasi vetëm rreth orës 17:00 nisën të lëvizin, me hapa shumë të ngadaltë. Pas 18 orësh gjendja është normalizuar disi në akset e Peshkopisë, pasi është hapur vetëm një aks ose në rastet e tjera udhëtarët kanë braktisur mjetet në mes të dëborës, duke u kthyer në qytet me mjete të emergjencave.
Në Kukës
Ndonëse nuk është njoftuar për probleme shëndetësore, situata ka qenë e rëndë, sidomos tek pasagjerët e dy autobusëve të linjës Prishtinë–Tiranë dhe Prishtinë–Bari. Autobusi i parë është bllokuar në Shëmbri, 40 m larg Kukësit. Në të ndodheshin gra e fëmijë. “Nuk do ta harroj kurrë këtë vuajtje”, thotë një prej pasagjereve teksa mban të mbështjellë vajzën 8-vjeçare, në kërkim të një tjetër mjeti udhëtimi, pasi autobusi nuk mund të lëvizë më pasi ka pësuar edhe defekt. Autobusi tjetër është bllokuar në Qafë-Mali. Njëri prej pasagjerëve i ka nisur një mesazh kryeministrit Sali Berisha, duke i kërkuar ndihmë. Berisha ia ka përcjellë mesazhin autoriteteve lokale, të cilat kanë shkuar në vendngjarje për të zhbllokuar situatën, por kjo ka qenë e pamundur. Në mesditë, në Qafë-Shllak ka pasur bllokim total, pasi dhe njëra prej borëpastrueseve ka pësuar defekt. Nga Kukësi e deri në Qafë-Shllak rruga dukej e kalueshme, çka ka gënjyer udhëtarët për t’u nisur drejt Tiranës, por ngecën në mes të malit. Drejtuesit vendorë kanë konstatuar një mungesë përgjegjësie të Drejtorisë së Rrugëve të Pukës dhe Shkodrës, të cilat nuk kanë dërguar në kohë mjetet borëpastruese, kështu që situata ka dalë jashtë kontrollit. Policia ka ndalur më pas të gjitha udhëtimet, sidomos të automjeteve të rënda dhe kolonat e bllokuara në Qafë-Mali me mbi 200 automjete në dy drejtimet rrugës kanë nisur të lëvizin me shumë ngadalësi pas orës 17:00. Në këtë pikë kritike ka shkuar dhe kryetari i këshillit të Qarkut, Shefqet Bruka, i cili ka ndërmjetësuar dhe me qeverinë për të nisur për ndihmë dhe mjete të ushtrisë. Me vështirësi kalohen rrugët Kukës–Krumë dhe Kukës–Morin, ndërsa janë bllokuar Kukës-Dibër dhe Bajram Curri-Qafë Mali e shumë zona rurale.
Në Peshkopi
Rreth 50 pasagjerë që udhëtonin nga Bulqiza në drejtim të Peshkopisë janë gdhirë dje në Fushë-Bulqizë, pasi rruga nacionale ishte e bllokuar si në drejtim të Dibrës ashtu dhe në drejtim të Bulqizës. Fatri Kata, njëri nga shoferët e 7 furgonëve të bllokuar për afro 18 orë tha për gazetën “Panorama”, se ai dhe shoferët e tjerë lajmëruan autoritetet e rrugëve dhe policisë lokale, por pasagjerët, (fëmijë, gra e të moshuar) janë detyruar të qëndrojnë për shumë orë në të ftohtë dhe pa ushqim. “Nuk kishte asnjë mjet borëpastrues në rrugë, - tha Kata. - Jemi ndjerë shumë keq mes të ftohtit, errësirës dhe mungesës së ushqimeve. Rreth orës 02:00 të mëngjesit është zhbllokuar rruga në vendin e quajtur Qafa e Ulzës. Ndërkohë disa mjete kanë dalë nga rruga dhe janë braktisur nga poseduesit e tyre. Të afërm të udhëtarëve të bllokuar kanë udhëtuar me makina të tjera në drejtim të Ulzës dhe kanë mundur të nxjerrin nga izolimi të paktën 400 udhëtarë. Sipas prefektit të Qarkut Dibër, Xhafer Seiti, të paktën 9 komuna janë bllokuar totalisht. Mbi 160 mijë banorë në qark vuajnë prej së premtes mungesën e energjisë elektrike, si pasojë e defekteve nga stuhia. Mungesa e energjisë elektrike ka krijuar probleme mjaft serioze për minierën e kromit në rrethin e Bulqizës. Në galeritë e minierës janë depozituar sasi të mëdha uji, duke ndalur punën dhe duke vënë në rrezik minierën, makineritë dhe pajisjet. j.h/h.p
Qytetet pa drita
Peshkopi
Burrel
Bulqizë
Linjat e dëmtuara
2 linja 220 kv Tiranë-Elbasan, Tiranë-Fierzë, Burrel-Fierzë, Burrel-Elbasan
Izolohen komunat e Skraparit
Dëbora ka izoluar komunat e thella të Skraparit. Kreu i qarkut të Beratit, Pelivan Shatri, bëri të ditur se rrugët që lidhin komunat me qytetin janë të izoluara dhe se po punohet për zhbllokimin e situatës. Shumë zona kanë mbetur pa bukë e ilaçe. Zonat më problematike janë komuna e Gjerbësit, Leshnjës, Potomit, Faqe Kuqi, Grepca etj. Ndërsa aksi Bogovë–Çorovodë është i bllokuar nga shkarja e dherave. d.xh
Dëbora arrin 1.30 cm në Mirditë
Situata në qarkun e Lezhës pas reshjeve të dy ditëve ka krijuar probleme për banorët. Situata më e rëndë paraqitet në Mirditë, ku janë të izoluara Kurbneshi, komuna Kaçinar dhe Fani. Këto komuna e mjaft fshatra të tjera nuk kanë as energji. Trashësia e dëborës në Kurbnesh ka kaluar 1.30 cm. Në Lezhë vijon të jetë e izoluar komuna Ungrejë, ndërsa në Kurbin është bllokuar komuna e Milotit. Kurbini dhe Lezha po vuajnë edhe mungesën e dritave. r.n
“Do të çojmë nusen në Tiranë, hapni rrugën e Kalasë së Dodës”
PESHKOPI – “Hapni rrugët të nxjerrim vajzën nuse. Një lajm i veçantë vjen nga fshati i largët malor i Kalasë së Dodës në rrethin e Dibrës. Reshjet e dëborës kanë bërë që trashësia e saj të kapërcejë një metër. Jo vetëm rrugët janë bllokuar, por në gjithë zonën që të premten më mesditë mungon energjia elektrike, ndërkohë nuk bëhet fjalë për hapjen e rrugës. Kryetari i fshatit Xhemal Selmani tha për gazetën “Panorama” se gjithë banorët e komunës janë të shqetësuar se askush nuk po interesohet për hapjen e rrugës nga Peshkopia në drejtim të Kalasë së Dodës. “Jemi të izoluar plotësisht, - tha Selmani. - Kemi kërkuar ndihmën e ndërmarrjes së rrugëve dhe këshillit të qarkut, por ende nuk kemi marrë një përgjigje pozitive. Dëbora ka dëmtuar rëndë rrjetin elektrik dhe specialistët e OSSH-së nuk kanë nisur ende nga puna për riparimin e defekteve”. Shqetësimi kryesor për Xhemal Selmanin ishte fakti se bashkëfshatari i tij, Sulë Hima mbrëmë kishte dasmën e vajzës dhe se sot duhet ta dërgojë në Tiranë, atje ku ajo do të martohet. “Dasmën do ta bëjmë dhe me mjete rrethanore, pa energji elektrike. Po të gjithë jemi të shqetësuar se vajza nuse nuk mund të transportohet nga Kalaja e Dodës në drejtim të Tiranës. Rruga ka mbi 1 metër dëborë dhe nuk po shohim interesim për hapjen e saj. Nuk jemi në mesjetë që rrugët të mbeten të bllokuara e të mos kemi mundësi të dërgojmë nusen tek burri”, tha Selmani duke shprehur shqetësimin e tij se situata në Kala të Dodës është kritike dhe se prania e shtetit është inekzistente. h.p
Grekët gjejnë klandestinët
KORÇE - Policia e Follorinës gjeti dje rreth orës 04:00 katër klandestinët shqiptarë që kishin mbetur në mes të dëborës në thellësi të tokës greke. Ata ishin strehuar në një stan në lartësitë e Qafës së Pisoderit. Klandestinët ishin nisur për të hyrë ilegalisht në tokën greke nëpërmjet ujërave të liqenit të Prespës. Por dëbora dhe stuhia i zuri në thellësi të maleve duke i izoluar. Pasi humbën orientimin ata njoftuan familjet e tyre. Policia shqiptare hyri në kontakt me palën greke dhe kjo e fundit arriti t’i gjejë pas disa orë kërkimesh. Policia greke i çoi ata në spitalin e Follorinës, ndërsa deklaruan se gjendja e tyre është e mirë. Ata do të mbahen edhe dy ditë dhe më pas do të deportohen. j.gj