Gerrard: Kalimi i Suarez te Arsenali, e vështirë për ne

Steven Gerrard beson se sezoni i Liverpoolit varet nëse ata e mbajnë Luis Suarezin dhe ka thënë se një kalim i uruguaianit në Arsenal “nuk do të kishte kuptim”. Suarez ende lidhet me një largim të mundshëm nga Liverpooli me Arsenalin që deri më tani i janë refuzuar dy oferta për sulmuesin uruguaian.
33 vjeçari Gerrard thotë se do të kuptonte një transferim të mundshëm të 26 vjeçarit në Real Madrid ose Barcelonë, por jo edhe në Arsenal. Kapiteni legjendar i Liverpoolit nuk dëshiron që 26 vjeçari të largohet- veçanërisht në një klub që është rival i “Redsave” për kualifikimin në Champions League. “Është e vështirë të përfundosh në top-katërsh për shkak të fuqisë qe e kanë Manchester City, Chelsea dhe Manchester United”, ka thënë Gerrard për gazetën “Indipendent”.
“Ku ndodhemi tani, çdo gjë varet nga vendimi i Luis Suarezit. Nëse e humbim atë atëherë sfida bëhet edhe më e vështirë. Kjo është shumë e thjeshtë”, ka shtuar anglezi. “Nëse ai shkon në Arsenal, natyrisht se do ta bëjë sezonin tonë më të vështirë”./indeksonline/