E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gerrard synon finalen

Kapiteni i Anglisë, Steven Gerrard, po planifikon që ta udhëheqë përfaqësuesen e tij drejt finales së madhe të Afrikës së Jugut. Ai nuk pati fat në vitin 2002, kur kishte pësuar një lëndim, ndërsa në Botërorin 2006 ylli i Liverpoolit ishte njëri nga ata që e humbën penalltinë në eliminimin nga Portugalia në çerekfinale.

Por, kapiteni i ri, që e zëvendësoi të lënduarin Rio Ferdinand, e ka marrë përgjegjësinë që t’i udhëheqë 11 ‘ushtarët’ anglezë dhe ‘agjërimin’ 44 vjeçar të tyre. “Për mua, sfida është: a mund ta udhëheq grupin e futbollistëve drejt finales dhe a mund të kem paraqitje konstante në çdo ndeshje, në evenimentin më të madh botëror të futbollit? Kjo është ajo që po planifikoj ta bëj.

Po kaloj momente të mira, fizikisht jam në gjendje të mirë dhe mentalisht jam OK. Është një mundësi fantastike që kemi. Janë 8-10 ekipe që synojnë ta marrin kupën, por ne e dimë se jemi ekip i mirë dhe jemi në gjendje ta mposhtim çdokënd që na del përpara. Mezi pres të fillojmë”, ka thënë 30 vjeçari për tabloidin britanik The Sun.

Anglezët do ta nisin aventurën e tyre të Botërorit të shtunën në përballje me SHBA-në në Rustenburg. Ekipi i Capellos dëshiron ta harrojë dëshpërimin e moskualifikimit në Euro 2008 dhe të arrijë suksese në këtë Botëror. Gerrard e di se njerëzit e shohin Anglinë si njërin prej favoritëve për të triumfuar në Afrikën e Jugut, por ai mendon se nuk është koha e duhur për të menduar për këtë. Ai deklaron se të qenit kapiten i jep atij një motivim shtesë, ndërsa e pranon se e ka ëndërr që ta ngritë lart Kupën e Botës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›