“Getot krijohen nga mungesa e vëmendjes së Bashkisë”

Lulzim Basha, kandidati i PD-së për kryebashkiak në Tiranë vijon turin në Laprakë
Kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha takoi dje qytetarë të Laprakës, në një prej zonave më të varfra dhe më pak të zhvilluara të kryeqytetit. Edhe pse dje ishte e diel, ditë pushimi, kandidati i mazhorancës vijoi punën e tij me dëgjesat e banorëve, në zonat e braktisura prej vitesh nga bashkia e kryeqytetit. Gjatë takimeve me banorët dhe gjatë ecjes që bëri në këtë njësi Bashkiake, Basha u njoh me problematikën e mprehtë të Laprakës, që ka të bëjë me mungesën e infrastrukturës, të asistencës sociale, të punësimit dhe të hapësirave për çlodhje dhe argëtim. Banorët i treguan Bashës shqetësimet dhe problemet e tyre të përditshme, të akumuluara në gjithë këto vite. Ata thanë se nuk e ndjejnë praninë e Bashkisë së Tiranës dhe se plotësisht janë të braktisur nga qeverisja vendore. Shumë prej banorëve u shprehën se nuk e kanë parë dhe nuk e kanë takuar asnjëherë kryetarin e Bashkisë, duke theksuar se ai ka fobi nga dëgjesat dhe komunikimi me komunitetin. “Unë të kam dëgjuar në televizor kur the se do të kesh takime me popullin çdo të premte, unë do të vij të takoj në zyrë”, iu drejtua Bashës një i moshuar. Secila zonë e Laprakës ka specifikën e vet. Një grup banorësh i kërkuan kandidatit për kryebashkiak që të rregullojë çështjen e rrugës, ujit të pijshëm dhe kanalizimeve. Gjithashtu, ata kërkuan më shumë siguri pasi jetojnë pranë shinave të trenit. “Treni këtu ka marrë shumë jetë njerëzish”, i tha Bashës një banor. Gjatë vizitës që pati te një bllok barakash të Laprakës, banorët që jetonin aty i kërkuan Lulzim Bashës më shumë vëmendje për hallet e tyre. “Askush nuk ka ardhur ndonjëherë të na shohë, ti je i pari”, u shpreh një grua duke i treguar Bashës nevojën e saj për asistencë sociale. Në mes të kësaj problematike, Lulzim Basha u shpreh se arsyeja kryesore e kësaj gjendjeje është mungesa e vëmendjes dhe mosdëgjimi i halleve dhe problemeve të qytetarëve. “Zotohem para jush se do ta shoh qytetin për qytetarin dhe jo për politikën. Në qoftë se është politika e para ja se çfarë ndodh, ja si diskriminohen qytetarët në këto geto”, u shpreh Basha. Kjo ishte dita e dytë e fushatës së kandidatit Lulzim Basha për Bashkinë e Tiranës, në vijim të dëgjimit të halleve dhe problemeve që kanë banorët e Kryeqytetit.
...