Goli i kombëtares fiku dritat e sloganit të socialistëve “Fajin e ka Saliu”

Kryeministri premton shpërblim për ekipin kombëtar, ndërsa garanton se stadiumi i ri do ndërtohet brenda vitit 2012
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, fitoren e ekipit kombëtar të futbollit në ndeshjen me Bjellorusinë dhe u shpreh se qeveria do të shpërblejë ekipin kombëtar për këtë fitore.
“Ju ftoj të përshëndesim me një duartrokitje të zjarrtë fitoren e shkëlqyer të ekipit kombëtar, fitore që mbushi me gëzim, kënaqësi dhe krenari, zemrën e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovës, Maqedoni dhe në mbarë botën. Natyrisht, kartolinën e urimit qeveria është e detyruar ta bëj si duhet. Dua t’ju informoj se qeveria do të shpërblejë ekipin kombëtar, drejtuesit e saj, për këtë rezultat dhe këtë performancë. Skuadra kombëtare e shqiptarëve është në një ngjitje të vërtetë dhe ndeshja e djeshme ishte një nga ndeshjet më të bukura të zhvilluara në stadiumin ‘Qemal Stafa’, por edhe në të gjithë stadiumet e tjera. Unë u gëzova shumë për këtë fitore. E ndoqa ndeshjen më shumë interes dhe emocion së bashku me bashkëpunëtorët e mi. Në minutën e 61 zoti Bode desh fluturoi në tavan, por nuk e kisha mendjen te Bode, e kisha te stadiumi. Kur shoh edhe zotin Basha në mes të tifozëve, sa nuk po fluturonte nga gëzimi. Por kishte një specifikë minuta e 61, minuta kulmore në të cilën Hamdi Salihi, një nga yjet e futbollit të Evropës dhe futbollit shqiptar, shënoi golin dhe vendosi kurorën e fitores. Kështu që dua ta përgëzoj në mënyrë të veçantë Hamdi Salihin për golin e shkëlqyer. Ishte kurora e fitores. Natyrisht, në selinë tjetër u fikën dritat se iu duk se ai gol u bë drejt për sloganin e tyre, ‘Fajin e ka Saliu’. Të tilla faje Saliu do t’i ketë të shumta. Saliu qëndron i gatshëm për gola të tjerë fitoreje. Ndaj edhe një herë t’i përgëzojmë për ndeshjen e shkëlqyer dhe, natyrisht, qeveria do t’i shpërblejë ata. Në këtë kampionat ata kanë dëshmuar performancën më të mirë dhe ngjitjen më dinjitoze. Le të urojmë dhe ata dhjetëra e mijëra të rinj që mblidhen nga të katër anët e trojeve shqiptare, të veshur me flamur, dhe që përbëjnë një mbështetje e inkurajim të jashtëzakonshëm për ekipin tonë kombëtar. Viti 2012 do të jetë viti i finalizimit të stadiumit kuq e zi. E meritojnë plotësisht”, u shpreh Berisha.