E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Giffoni Albania”, kinemaja në Lezhë

Fëmijët e qytetit të Lezhës ndoqën të mërkurën pesë filmat e edicionit të katërt të festivalit të filmit për fëmijë "Giffoni Albania", një aktivitet i cili sipas drejtorit ekzekutiv të këtij festivali, Namik Ajazi, "ka ngjallur interes tek fëmijët lezhjanë, të cilët janë bërë pjesë aktive e diskutimeve për filmat e shfaqur".

"Qëllimi ynë është afrimi i fëmijëve dhe adoleshentëve me kinemanë", - theksoi Ajazi, duke shtuar se "shpresojmë që formati "Giffoni Albania" të jetë në një të ardhme edhe qendra e Ballkanit". Në jurinë ndërkombëtare të këtij aktiviteti tradicional marrin pjesë të paktën 120 fëmijë të cilët do të marrin pjesë në vlerësimin e edicionit të 38-të gjatë muajit korrik në Itali. Në "Giffoni Albania 2008", janë përfshirë 5 filmat më të mirë për fëmijë të moshës mbi 12-vjeçare, si, "Miq për jetë", "Magjistarja e vogël", "Misa e Ujqërve", "Efekte të rrezikshme" dhe "Ndihmë, u bëra djalë".

Gjatë këtij festivali fëmijët marrin pjesë direkt në votimin e filmave pjesëmarrës në "Giffoni Film Festival", ndërsa ata janë të ndarë sipas dy kategorive dhe votojnë sipas tyre si "Free to fly" 12 deri 14 vjeç dhe "Y Gen" 15 deri 18 vjeç. Sipas këtij klasifikimi, fillimisht filmat janë ndjekur nga kategoria "Free to fly" 12 deri 14 vjeç dhe më pas nga "Y Gen" 15 deri 18, dhe në fund të shfaqjes së pesë filmave të dyja kategoritë kanë dhënë edhe komentet dhe vlerësimet e tyre.

Edicioni i katërt i "Giffoni Albania 2008", ka nisur turin në qytetin e Sarandës, në Vlorë dhe Lezhë dhe do të vazhdojë më pas në Pogradec dhe Durrës. Ndërsa në muajin tetor do të zhvillohet edhe nata gala e "Giffoni Albania", ku do të shpallen edhe filmat fitues. "Giffoni Albania" ka udhëtuar tashmë pothuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë që prej vitit 2005.

“Giffoni Film Festival'' ka nisur që në vitin 1971, në Giffoni ( Itali) dhe ka marrë emrin e qytetit ku është organizuar. Këtë vit në shtetin fqinj u organizua edicioni i 37-të i tij.

Vetëm katër vite më parë Shqipëria u përzgjodh si një ndër vendet organizuese të këtij festivali ndërkombëtar, krahas Hollivudit. Gjatë viteve 1984, 1985 dhe 1988, Shqipëria është përfaqësuar denjësisht në këtë festival me filmat ''Tomka dhe shokët e tij”, ''Lulëkuqe mbi mure”, filma që janë nderuar edhe me çmime.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›