Giffoni: Ndarja s`ka përkrahje në Evropë

Asnjë qeveri evropiane nuk e mbështet ndarjen e Kosovës, ndërsa koncepti i promovuar së fundi nga disa qarqe serbe nuk ka qenë, dhe nuk mund të jenë temë e dialogut të nisur mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka deklaruar ambasadori italian në Kosovë Michael Giffoni, në një intervistë për “Kohën Ditore”.
Sipas Giffonit, gjithçka që thuhet rreth ndarjes është prononcim personal i disa zyrtarëve dhe një koncept i tillë asnjëherë nuk ka qenë çështje.
Në anën tjetër, ambasadori italian thotë se situata me FMN-në do të sjellë sfida të reja për Kosovën në pjesën e dytë të këtij viti, ndërsa tërheq vërejtjen se Kosovës i duhet vetëm një FSK sipas aranzhimeve të NATO-s. Ambasadori italian pret që edhe në raundin e radhës së dialogut të ketë rezultate konkrete.
I pyetur se nëse bëhet ndarja e Kosovës opsion i mundshëm, ambasadori Giffoni u përgjigj se nuk beson, edhe pse mund të ketë prononcime të herëpashershme nga persona të ndryshëm.
Situata në Ballkan ka vetëm një pikë bazike, një rrugë bazë e që është integrimi dhe perspektiva evropiane. Nga ky këndvështrim të flasësh për ndarje është diçka krejtësisht irelevante dhe e rrezikshme. Integrimi në BE nuk është ndarje, por është integrim, pjesëmarrje dhe dialog. Kjo është fryma e integrimit në BE. Kjo vlen për të gjithë e edhe për Kosovën dhe Serbinë. Këtë ne duam ta arrijmë me dialog. Mund të ketë prononcime të ndryshme, por ndarja nuk mund të vihet si çështje. Ajo nuk është e mirë për Ballkanin dhe as për Kosovën” theksoi Giffoni.