E Diel, 1 Nëntor 2026

Giffoni udhëton nëpër Shqipëri

Nis në Sarandë edicioni i katër i Festivalit të Filmit për Fëmijë “Giffoni Albania”. Filmat do të udhëtojnë nëpër Shqipëri e do të vlerësohen nga fëmijët

Nisi në Sarandë Festivali i Filmit për fëmijë dhe adoleshentë “Giffoni Albania”. Fillimisht si një bashkëpunim me një nga institucionet më të mëdha në botë, për filmin për fëmijë “Giffoni” në Itali dhe tani është kthyer në një traditë edhe në vendin tonë. Jo vetëm në Tiranë por edhe në rrethe fëmijët kanë mundësi të shohin filmat, t’i vlerësojnë ato dhe më pas të nxjerrinfilmin fitues. Itinerari këtë vit është Sarandë, Vlorë, Pogradec, Durrës, Lezhë, duke shfrytëzuar edhe sezonin turistik, që mbledh në këto qytete pushues nga i gjithë vendi. “Ka qenë një ide e kahershme e jona për të sjellë edhe në Sarandë “Giffoni Film Festival Shqipëria”. Në këtë start të tij “Prolog Giffoni Albania” do të jenë pesë filmat më të mirët të realizuar në dy vitet e fundit, që do të vlerësohen nga juria e fëmijëve. Në qytetin e Sarandës do të jenë një mijë fëmijë që do të shikojnë filmat, do të diskutojnë mbi ta. Prologu fillon në Sarandë, si një qytet që premton shumë, për të vazhduar më pas në ndalesat e veta në qytetet si Vlora, Pogradeci, Durrësi, Lezha”, - thotë presidenti i festivalit, Namik Ajazi. Ai kujtoi edhe njëherë faktin, që kinemaja shqiptare për fëmijë numëron trofe të fituar në festivalin e “Giffonit” në Itali. Bëhet fjalë për filmat e regjisores Xhenfize Keko “Beni ecën vetë”, “Shoku ynë Tili”, etj. Janë filma që edhe sot i shohim me dëshirë, megjithatë jemi në vitin 2008 dhe ende vazhdojmë të flasim për sukseset e filmave të prodhuar dekada më parë. Sot është e vështirë të flasësh për sukses në këtë fushë. Ndryshe nga fusha të tjera të artit, të cilat duket se po e kalojnë periudhën e tranzicionit, filmi për fëmijë nuk “po i ngre dot kryet”. “Zanafilla e kësaj tradite ka qenë të sjellim kinemanë e munguar dhe që dikur Shqipëri ka pasur një traditë të mirë të filmave për fëmijë. Ne kemi pasur një film autentik, që për fat të keq i mungojnë prodhimet në 20 vitet e fundit. Për këtë arsye “Giffoni Albania” në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare Kinematografike ka hapur një konkurs ku do të paraqesin projektet e tyre skenaristët në këtë gjini me tema nga më të prekshmet për fëmijët e adoleshentët, ku në tetor do të përzgjidhet projekti më i mirë për t’u realizuar”, - shton Ajazi.

Në edicionin e katërt të Festivalit marrin pjesë filmat “Amici per la vita” (“Miq për jetë”), një prodhim nga Irlanda, “Fia, piccola maga” (“Fia, magjistarja e vogël”), që vjen nga Norvegjia, “Misa dei lupi”, prodhuar në Zvicër, “Effetti pericolisi”, një bashkëpunim Zvicër-Danimarkë-Finlandë, “Aiuto, sono un ragazzo..!” që vjen nga Gjermania. Shfaqja e filmave nisi qysh mbrëmë në kinemanë verore të qytetit, duke u ndjekur nga një numër i madh spektatorësh, ndërsa konkurrimi nis sot e do të vijojë edhe nesër. Si gjithmonë filmat e fëmijëve do të jenë të ndarë në dy kategori, sipas moshave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›