E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Giro d’Italia nesër në Vlorë, dega e PS kërkon zgjatjen e orarit të votimit

TIRANË, 10 maj /ATSH/ Etapa e tretë dhe e fundit e garës ndërkombëtare “Giro d’Italia 2025” në Shqipëri, do të zhvillohet në Vlorë nesër më 11 maj, që përkon edhe me zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Në kuadër të zhvillimit të saj parashikohen një plan masash sigurie rrugore dhe rendi nga Policia e Shtetit dhe institucionet përgjegjëse, ku do të bllokohet qarkullimi në disa rrugë.

Për këtë shkak mësohet se dega e Partisë Socialiste në Vlorë i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe zgjatjen e orarit të votimit në qytet nesër, deri në 22:00, nga 19:00 që parashikon Kodi Elektoral.

“Duke vlerësuar se lëvizja e qytetarëve drejt këtyre qendrave mund të jetë e vështirësuar apo e pamundur për një pjesë të ditës, kërkojmë që për të gjitha këto qendra të shtyhet orari i votimit deri në orën 22:00.

“Vlerësojmë se kjo shtyrje e orarit është e domosdoshme për të garantuar ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të votuar dhe për të siguruar një proces zgjedhor të papenguar, ku çdo qytetar të ketë mundësi për të ushtruar të drejtën e tij për të zgjedhur”, thuhet në shkresën e PS dorëzuar KQZ-së.

Xhiro do të nisë rreth orës 13:15, nga Lungomare, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në rrugën “Demokracia”, nga ku do të startojë gara.

Çiklistët do të vijojnë itinerarin drejt Kotës, në Brataj, drejt Qeparos, më pas nga Porto Palermo në Himarë, e më pas do të kthehen nga Qafa e Llogarasë, drejt Orikumit, e nëpërmjet Rrugës “Murat Tërbaçi” do të kthehen në Vlorë.

Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:26 në Rrugën “Sadik Zotaj”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›