E Martë, 3 Nëntor 2026

Dyshime se lejuan shtrimin e rrugëve në Belsh në funksion të fushatës elektorale, Prokuroria Elbasan ndalon 4 persona

TIRANË, 10 maj /ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka regjistruar kryesisht procedimin penal për veprën penale të “Shpërdorim detyre”, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Moskallëzim i krimit”.

Në datë 5 maj ora 08:30, nga këqyrja në rrjetin social “Facebook”, është shfaqur postim “Asfalt elektoral në Belsh”, në video dallohet një kamion me mbishkrimin “V. H.” dhe mbrapa saj një mjet që shtron asfalt. Në këmbë gjendet kandidati i një koalicioni zgjedhor shtetasi D.C.

Ky shtetas në video mes të tjerash relaton se: “I bëj thirrje Kryetarit të Bashkisë Belsh, që pse shtrohet ky asfalt tani, një javë para zgjedhjeve”.

Në kuadër të këtij procedimi janë kryer disa veprime hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja dhe sekuestrimi i dokumentacionit mbi punimet në rrugë (praktika e mbajtur nga ana e Bashkisë Belsh dhe nga subjekti “V.H” shpk), administrim i deklarimeve të personave që kanë dijeni rreth veprës penale.

Në tërësi të veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente, rezulton se ka dyshime të arsyeshme që punonjës të IMT Bashkia Belsh kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, pasi me mosveprimet e tyre kanë lejuar që subjekti “V.H” shpk të shtrojnë pa projekt rrugë të brendshme në qytetin e Belshit, të dyshuara të kryera në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet e datës 11 maj.

Nga ana e subjektit “V.H.” shpk është kryer vepra penale e “Ndërtimit të paligjshëm”.

Sa me sipër në datë 10 maj nga Prokurori i çështjes është urdhëruar ndalimi i të dyshuarve për një krim shtetasve F.M., L.H., Dh.K. dhe B.H.

Nga policia gjyqësore është ekzekutuar ndalimi për dy shtetas, jane ushtruar kontrolle vendesh si dhe është bërë shpallja në kërkim e dy shtetave Dh.K. dhe B.H.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›