E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gj. e Lartë, Berisha refuzon propozimin e PS

Kryeministri Sali Berisha ka refuzuar propozimin e PS-së për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj kushtetuese me 84 vota. Edhe pse nuk i është përgjigjur drejtpërsëdrejtë propozimit të artikuluar një ditë më parë nga Fatmir Xhafa, kryeministri ka deklaruar se procedura aktuale është moderne dhe transparente. Lideri i maxhorancës Berisha ka dalë në mbrojtje të procedurës aktuale të miratimit të anëtarëve të këtyre 2 institucioneve të rëndësishme, duke lënë të kuptohet se nuk ka në plan të ndryshojë mënyrën e votimit të emrave të përzgjedhur nga presidenti.
Ndërkaq duke iu referuar deklaratës së Këshillit të Evropës, kryeministri Berisha ka përsëritur se mbështet zgjidhjet që mund të vijnë nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.
Emërimi i 6 anëtarëve të gjykatës Kushtetuese dhe 4 të gjykatës së lartë është një prej çështjeve më të nxehta të politikës së ditës, dhe vetëm një ditë më parë sekretari për çështjet ligjore Fatmir Xhafa deklaroi se PS-ja do të bashkëpunojë në këtë proces nëse votimi për emrat e rinj do të bëhet me shumicë të cilësuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›