Gjakmarrja, Tropoja dhe Kukësi mbeten ende zona të nxehta

Nga fillimet e viteve ‘90 e deri më tani, Komisioni i Pajtimit të Gjaqeve ka mundur të pajtojë rreth 90 raste hasmërish, ndërkohë që kanë sheshuar mbi 125 konflikte në Qarkun e Kukësit.
Avdi Cenaj, njëri prej krerëve të shoqatës, rrëfen për “Shqip” vështirësitë me të cilat janë hasur gjatë kësaj periudhe disavjeçare. Ai tregon se si pa bujë dhe reklamë mediatike, këta njerëz të thjeshtë pajtuan qindra njerëz, duke përdorur si kod të procedurës: traditën e popullit, besën dhe bujarinë, ndërsa si element garantues fjalën e dhënë.
I moshuari na rrëfen se grupi i pleqve e nisi veprimtarinë vullnetare në vitin 1991, atëherë kur mjaft njerëz pas ardhjes së demokracisë, nxituan të “lajnë hesapet” në mënyrë vetëgjyqësie duke risjellë gjakmarrjen. “Më lehtë mund të ngresh një vilë se sa të pajtosh dy familje”, thotë ai duke pasur parasysh edhe mundin fizik me udhëtime dhe kontakte të vazhdueshme. Ai tregon se duhet një angazhim i jashtëzakonshëm i të gjithë njerëzve të familjes dhe të fisit dhe kuptohet që një pjesë e njerëzve nuk duan qetësinë mes tyre, por ngatërresat, sepse edukata që vjen nga koha e pushtimit turk i nxit në sedër disa persona për të mos u pajtuar. “E quajnë krenari hakmarrjen, sepse nuk kanë vlerësim për jetën. Veçanërisht në rastet kur shteti nuk ka vendosur drejtësi, imagjinoni sa e vështirë është të flasësh me të lënduarin, me vëllezërit apo me prindërit e viktimës së vrarë në kohën kur fajtori është i lirë. Kontakte të pafundme bëjmë edhe me agresorin pa bërë cilësime, siç bëhet rëndom për ata persona që kanë kryer një krim, ne merremi shumë me atë derisa ai të bindet për të kërkuar falje të sinqertë. Sepse pala e dëmtuar ka shumë nevojë për këtë, t’i kërkohet falje”, thotë i moshuari. Ai nënvizon se gjatë gjithë këtyre, viteve grupi i pleqësisë të pajtimit e ka pasur shumë të vështirë të depërtojë në rastet e konflikteve brenda familjare, si dhe në çështje të trafikut të femrave. “Në Kukës, rastet e trafikimit të femrave kanë qenë të rralla, por në dy-tre raste të ndodhura, as kemi tentuar të ndërmjetësojmë.
Mungesa e ndihmësPlaku Cenaj tregon se ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë përgjithësisht pensionistë, të cilët shfrytëzojnë lidhjet miqësore dhe farefisnore kur lind nevoja për një ndërmjetësim pajtimi. “Nuk kemi telefon, as zyrë, automjet për të lëvizur dhe as fonde financiare. Udhëtojmë me mjete publike dhe flemë te miqtë tanë nëpër zona të ndryshme që nga ShënMria, Kalisi, Tropoja, Hasi, Puka etj. Ndoshta duke qenë krejt të zhveshur nga infrastruktura e një strukture të organizuar, njerëzit na shohin me besim dhe dashamirësi”, thotë ai jo pa ironi, duke shtuar se derisa ata nuk marrin porosi nga shteti, nuk marrin as mbështetje financiare.
Zgjidhja nga gratëAvdi Cenaj tregon se gjatë viteve të fundit kanë pajtuar 87 gjaqe si dhe 125 konflikte. Ai thotë se është e rëndësishme të pajtohen konfliktet që ende nuk janë shndërruar në drama të dhimbshme, në kohën kur ende nuk është shumë vonë për të penguar një gjakderdhje. “Më i lumtur jam kur pajtoj një konflikt se një gjak, sepse pajtimi i konfliktit është parandalimi i krimit”, thotë Cenaj. Përvoja e plakut Cenaj dhe pleqve të tjerë ka momente shumë interesante ku të bën përshtypje ndikimi i gruas në raste specifike, kur burrat nuk kanë mundur të zgjidhin drejt një pajtim. Ai tregon se si gjashtë vjet më parë, ndërsa kishin harxhuar shumë ditë në përpjekje për të pajtuar një vrasje në zonën Tropojës, ka qenë pikërisht një grua që ka zgjidhur çështjen. “Ne po debatonim më kot mes burrash të fisit dhe familjes, të falet apo jo vrasja e një të riu 25-vjeçar në vitin 1997. Në derë është shfaqur nëna e djalit dhe ka thënë vetëm kaq: djali im nuk ngjallet më. Dhe ka dalë. Mesazhi ishte ky, hakmarrja nuk do ta ngjallte djalin e vrarë, kështu që pajtimi ishte rruga më e drejtë”, kujtoi plaku jo pa emocione atë moment të pajtimit në Tropojë.
#