E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjakmarrja, pesë fëmijë të ngujuar në kasolle me lopën

Të ndodhur aty pa drejtësisht, të ngujuar nga një dorë vrasëse që i mori jetën të atit, 5 fëmijë dhe nëna e tyre jetojnë brenda një kasolleje, ku në një cep hanë ata dhe në një cep lopa.

Një realitet i dhimbshëm në një nga fshatrat e Shkodrës, i treguar nga një prej mësueseve, të cilat çdo ditë përballen me historitë e patreguara të fëmijëve të ngujuar.

Të pafajshëm, por të dënuar që të rriten mes katër mureve, pa shkuar në shkollë, pa shokë, ndoshta edhe pa jetë.
Të jesh i ngujuar për ta është një paralajmërim i vdekjes, koncept që edhe pse të vegjël, janë të detyruar ta “përpijnë” në mendjet e tyre.

Në këtë situatë të zymtë, e vetmja rreze shprese për ta është projekti “Shansi i dytë”, i iniciuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Shkodrës.

Në sajë të këtij projekti, fëmijët e ngujuar kanë mundësi të shkollohen ashtu si moshatarët e tyre. Liljana Luani, ose siç i thonë të gjithë mësuese Lili, është një prej arsimtareve, e cila i njeh mirë problemet e fëmijëve të ngujuar.

Përveç punës së saj në shkollën “Pashko Vasa” në Shkodër, ajo është pjesë aktive e projektit që merret me arsimimin e fëmijëve të ngujuar.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Liljana Luani tregon nga afër, duke mos i përmbajtur herë pas here edhe lotët, problemet me të cilat hasen fëmijët e ngujuar dhe kushtet e vështira në të cilat zhvillon mësimin me këta fëmijë.

Çdo ditë i hipën furgonëve të linjës dhe arsimon fëmijë të moshave të ndryshme në fshatra si Mazreku, Guri i Zi, Bardhej, Postribë e në zona të tjera rreth Shkodrës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›