E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gjana për ATSH: Mbi 172 mijë vizitorë në 10 muaj në zonat e mbrojtura në Kukës

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Zonat e mbrojtura në qarkun e Kukësit gjatë 10 muajve të këtij viti janë vizituar nga mijëra turistë, të cilët kanë shijuar bukuritë dhe peizazhet e shumta natyrore.

Tri zonat e mbrojtura, Parku Kombëtar i Alpeve Shqiptare, Korab-Koritnik dhe Parku natyror i Munellës, zënë një sipërfaqe të konsiderueshme të territorit.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura të Kukësit, Lefter Gjana tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “nga janari deri në fund të tetorit zonat e mbrojtura janë vizituar nga 172 260 vizitorë, nga të cilët 96 753 vendas dhe 75 507 të huaj. Konkretisht Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë, që është në administrimin e ADZM Kukës, u vizitua nga 131 325 turistë, nga të cilët 74 328 ishin vendas dhe 56 997 të huaj”.

“Parku Korab-Koritnik u vizitua nga 39 865 turistë, nga të cilët 21 816 vendas dhe 18 049 të huaj, ndërsa Parku Natyror i Munellës u vizitua nga 1070 turistë, nga të cilët 609 vendas e 461 të huaj”.

Gjana tha se “sa i përket Parkut Kombëtar Alpet e Shqipërisë, ndër shtigjet më të frekuentuara janë Theth Valbonë, Dragobi-Valbonë, shtegu Dragobi-Qafë Droce, si dhe atraksione të tjera të shumta. Sa i përket Parkut Natyror Korab-Koritnik, ndër shtigjet më të vizituara është “Shtegu i Ngjyrave”, i cili edhe vitin e kaluar ishte më i preferuari, si dhe shtegu Brekije-Gjallicë-Tërshenë-Shkalla e keqe”.

Gjana u shpreh se “gjatë gjithë vitit ADZM Kukës ka pasur prioritet mbrojtjen e zonave të mbrojtura, plotësimin e sinjalistikës në shtigje, ruajtjen e habitateve dhe llojeve endemike etj., por edhe shoqërimin e grupeve turistike që vizitojnë këto zona duke promovuar shtigjet”.

Qarku Kukës disponon rrjet me biodiversitet të pasur natyror e kulturor. Zonat e mbrojtura kategorizohen në rezervë strikte natyrore dhe trashëgimi e UNESCO-s, ku përfshihet lumi i Gashit (Tropojë) brenda Parkut Kombëtar Alpet e Shqipërisë, ku brenda këtij parku përfshihet lugina e Valbonës, lumi i Gashit, lumi i Tropojës si dhe bjeshkët e Dobërdolit dhe Sulbicës. Ky park natyror ka një sipërfaqe totale prej 82 844,6 hektarësh, nga këto në qarkun Kukës ndodhen 39 010,3 ha. Parku natyror ku përfshihet vargmali Korab-Koritnik ka një sipërfaqe totale prej 53 850 ha, ku në qarkun Kukës ndodhen 33850 ha dhe Parku Natyror Munellë me një sipërfaqe totale 20 760,05 ha, ku në qarkun Kukës ndodhen 2996 ha si dhe 48 monumente natyrore.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›