E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë ditë me ritmet e xhazit

Fatos Qerimi, klarinetisti i mirënjohur dhe njëkohësisht drejtori i këtij festivali, flet për mbarëvajtjen e këtij evenimenti, si dhe risitë e këtij edicioni

Pas një jave të mbushur me të ftuar nga vende të ndryshme, “Tir Jazz Fest” përfundoi edicionin e tetë. Gjatë netëve të festivalit performuan artistë dhe grupe të njohur nga publiku shqiptar, siç janë Hans-Joachim Rodelius, Tim Story,  Clementine Gasser, Leda Atomica, Thomas Hufschmidt, “Djabe”, “Wiener Tschuschenkapelle” etj. Ndërkaq, nga artistët shqiptarë nuk mungoi klarinetisti i mirënjohur Fatos Qerimi, i cili është edhe drejtori i këtij festivali. Tashmë që çdo gjë ka përfunduar, Qerimi rrëfehet pas festivalit: “Ky edicion ka shkuar shumë mirë dhe mund të them se ka pasur vlera të veçanta për sa i takon auditorit, duke pasur parasysh profilin tonë. Mund të them që programi ka qenë i larmishëm dhe ka promovuar si xhazin individual, atë tradicional, pa harruar prurjet alternative. Por nuk është lënë mbrapa as xhazi standard, nga i cili lindën edhe alternativat e ndryshme që mbizotërojnë botën e xhazit”, përfundon drejtori i festivalit. Në netët e këtij festivali u vu re një fryme e re në konceptimin e tij. Kështu, në ndryshim nga edicionet e kaluara, që promovonin muzikën xhaz, këtë vit i është dhënë prioritet edhe prezantimit të artistëve të rinj, edhe pse paraqitja ka qenë modeste. “Falë një “Masterclass” që u zhvillua me xhazistët e rinj, nga pianisti gjerman Thomas Hufschmidt pati një pjesëmarrje nga këta të rinj në festival. Edhe pse pjesëmarrja e tyre ishte modeste, mbetet për t’u vlerësuar angazhimi i tyre”, u shpreh Qerimi. “Tir Jazz Fest” është i vetmi festival i këtij lloji që zhvillohet në Shqipëri, ku vlen për t’u theksuar hapësira që u jepet këtyre të rinjve. Nga ana tjetër, duhet thënë se ka artistë shqiptarë që prej vitesh ushtrohen në këtë lloj muzike, madje ka edhe klube ku luhet vetëm ky zhanër. Lidhur me mungesën e një përgatitjeje profesionale, Qerimi shprehet optimist për ngritjen e degës së Xhazit pranë Akademisë së Arteve: “Si shef departamenti, prej kohësh kam këmbëngulur për hapjen e seksionit të xhazit dhe për momentin jemi në rrugën e duhur. Programi është në diskutim e sipër dhe pret miratimin zyrtar”, vijon muzikanti. Në këtë edicion të “Tir Jazz Fest” rikthehet pianisti Hans-Joachim Rodelius, president i festivalit. Ai bën pjesë te krijuesit e xhazit elektronik. Ka interpretuar kryesisht si solist, por është themelues i disa grupeve xhazi. Në adresë të tij janë rreth 80 incizime. Si këngëtare dhe violonçeliste vjen Clementine Gasser, me një stil krejt të sajin. Kompozitori dhe pianisti Tim Story rivjen në “Tir Jazz Fest”, ku veç të tjerash, ai njihet si krijuesi i kolonave zanore të regjisorit spanjoll Pedro Almodovar. Muzika e tij është shumë e vlerësuar nga kritika dhe regjistrimet e tij të fundit janë konsideruar si “një nga trilogjitë më të arritura në muzikën instrumentale”. Nga Hungaria vjen grupi “Djabe” (në gjuhën afrikane do të thotë “liri”). Ata gërshetojnë elementet e xhazit me muzikën hungareze. Artistët e “Leda Atomica” rikthehen në Tiranë me shfaqjet e tyre të pazakonta, ku përzihet muzika, aktrimi e kërcimi. Për t’u vlerësuar është edhe pjesëmarrja e pianistit gjerman Thomas Hufschmidt, i cili rikthehet në Shqipëri për të tretën herë. Ai është ndër të tjera, edhe iniciatori i krijimit të një dege xhazi në Akademinë e Arteve të Tiranës, në bashkëpunim me shkollën e lartë gjermane “Folkwang Hochschule”. Parov Stelar sjell pak atmosferë diskoteke. Ritmet e muzikës xhaz përzihen me muzikën “hause”, duke e bërë atë të pranueshme për të gjithë ambientet. Festivalin e mbylli një grup nga Austria, “Wiener Tschuschenkapelle”, që solli edhe ritme ballkanike në Festivalin e Xhazit. Në programin të servirur prej tyre kishte muzikë folklorike nga rajoni ballkanik, mesdhetar, kryesisht melodi turke, greke e boshnjake. Rrugëtimi i këtij evenimenti nisi tetë vjet më parë, ndërsa sot ai është futur në kalendarin e përvitshëm artistik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›