Igli Tare, drejtor teknik i Lacios

Igli Tare ka menduar t’i thotë “Mjaft” futbollit të luajtur. Në një konferencë për shtyp të dhënë dje paradite në hotel “Sheraton”, sulmuesi shqiptar ka bërë të ditur tërheqjen e tij zyrtare nga futbolli dhe nga kombëtarja kuqezi. “Jam sot këtu, për t’iu bërë të ditur tërheqjen time zyrtare nga futbolli i luajtur, njëkohësisht edhe nga kombëtarja”, është shprehur biondi. Tashmë, ish-sulmuesi i Lacios ka vendosur të varë këpucët në gozhdë, por nuk do të largohet përfundimisht nga futbolli. Tare ka pranuar ofertën e drejtuesve të Lacios, për të qenë një drejtues i kësaj skuadre e më pas (pasi të marrë licencën e duhur), të kalojë në detyrën e drejtorit teknik. “Roli im tek skuadra laciale do të jetë pak a shumë ai i drejtorit teknik, - është shprehur Tare, - por duke qenë se unë nuk kam akoma licencën e drejtorit teknik, do të përdorim një lloj formule për ta shfrytëzuar këtë gjë. Është një okazion dhe një sfidë që unë e pranoj me shumë dëshirë, ashtu siç kam pranuar edhe të gjitha sfidat e tjera në jetën time”. Igli Tare ka pranuar se tashmë, në rolin e ri, do të përpiqet të ndihmojë çdo futbollist shqiptar për të luajtur tek Lacio, por më parë ata duhet ta meritojnë vetë këtë gjë. “Futbollin në Shqipëri e kam ndjekur dhe do ta ndjek gjithmonë me shumë vëmendje, dhe nëse do të ketë talente që do ta meritojnë të luajnë në kampionatin italian, atëherë unë do të bëj të pamundurën për realizuar ëndrrën atyre”. Edhe pse nga skuadra e Lacios ky lajm ende nuk është zyrtarizuar (pasi janë në heshtje për shtyp), pritet që Tare të prezantohet sot në ambientet e skuadrës laciale. Lacios prej pak ditësh është pa një drejtor teknik, pas largimit të Valter Sabatinit drejt Palermos. Igli Tare bëhet kështu i pari ish-futbollist shqiptar që merr një detyrë kaq të rëndësishme dhe për më tepër në një kampionat si ai italian.
Tare: “Meritoja një largim më dinjitoz nga kombëtarja”
Igli Tare ka qenë kapiten i kombëtares sonë për një periudhë kohe të gjatë, por pas 6 shkurtit të 2007-ës ai nuk ka qenë më pjesë e kësaj përfaqësueseje. Numri 17, i cili ka shënuar 10 gola në 67 ndeshje me përfaqësuesen, është shprehur se kërkonte një mënyrë më të mirë për t’u tërhequr nga kombëtarja. “Kam dhënë një kontribut shumë të madh për kombëtaren, ashtu si edhe shumë lojtarë të tjerë, - ka thënë Igli. - Mendoja se kur të tërhiqesha nga kombëtarja do ta bëja këtë gjë në një mënyrë më dinjitoze, por kjo nuk ndodhi, për shkak të disa problemeve”.
Refuzimi
Markexhani e Peruci i thanë jo Lacios
Presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, ka një vlerësim shumë të madh për Igli Taren, prandaj i ka ofruar atij edhe rolin e drejtorit teknik. Por në muajt e fundit, presidenti lacial u përpoq që të bindte ish-portierët Anxhelo Peruci (do të jetë në stafin e Marçelo Lipit në kombëtaren italiane) dhe Luka Markexhanit. Që të dy e kanë refuzuar këtë detyrë, duke bërë që Lotito të arrinte një marrëveshje me Igli Taren.