“Gjatë këtij viti punësohen 324 infermierë”, Manastirliu: Rritje pagash edhe për personelin shëndetësor

Ka pak muaj që ka nisur punë si infermiere në reanimacionin e spitalit rajonal të Shkodrës. Elizabeta Mucaj, pas marrjes së informacionit se një test kombëtar për infermierët do t’i jepte mundësinë të garonte në profesionin e saj, nuk hezitoi të aplikonte dhe rezultoi fituese.
Vetëm gjatë 2 muajve të parë të këtij viti janë punësuar nga portali “Infermierë për Shqipërinë”, 324 teknike të shkencave mjekësore. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një takim me infermierët tha se do vijojnë fuqizimet në sistemet e rekrutimit mbi bazë të meritës dhe transparencës.
Manasterliu tha se infermierëte rinj kur hyjnë në sistem mbështeten nga mentorët, nga më të vjetërit për të bërë të mundur ndjekjen dhe mbështetjen e tyre.
Mbi 5 mijë infermierë janë punësuar me portal nga janari 2018 që kur nisi aplikimin ky instrument. Vetëm gjatë procesit të fundit kanë aplikuar 2,030 teknikë të shkencave mjekësore.
/rtsh/