E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjekmarkaj: Buxheti 2026, braktisje për veriun

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, gjatë fjalës së tij në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2026, tha se ky buxhet nuk parashikon investime për veriun e vendit.

Gjekmarkaj, njëherësh drejtues politik i qarkut të Lezhës në PD, tha se “qytetarët e veriut po e paguajnë çdo ditë koston e një buxheti të padrejtë, të pabarabartë dhe të pabazuar, pasi është pak gjenocidal si buxhet në raport me veriun”.

Gjekmarkaj u ndal edhe tek situata nga moti i keq, ku theksoi se shumë familje pësuan dëme nga përmbytjet. Sipas tij kjo ndodhi për shkak të mungesës së investimeve për të parandaluar përmbytjet e banesave.

“Dje vetëm një shi i fortë mjaftoi që Mamurrasi, Zejmeni dhe Pllana të përmbyteshin. Familje të tëra pësuan dëme kolosale, dyqane e shtëpi u mbushën me ujë, bizneset u shkatërruan brenda pak minutave. A është normale që në 2025 një qytet i tërë si Mamurrasi të përmbytet me një rrebesh mesatar? A është normale që Zejmeni dhe Pllana të kthehen në liqen sa herë bie shi?

“Kjo nuk është natyra, por është mungesë investimesh. Kjo është prova e gjallë se qeveria nuk ka menduar asnjë ditë për hidrovorët, kanalet vaditëse për mirëmbajtjen e tyre, paratë janë derdhur në tendera të fryrë në projekte që nuk i ka parë njeri, ndërsa qytetarët mbyten sa herë bie shi.

Në Zejmen u investuan qindra-mijëra euro për investimet në rrjet sot përsëri është errësirë. Ku shkuan ato para? Kush i mori? Kush mban përgjegjësi? Kjo qeveri nuk jep as përgjigje, as zgjidhje”, tha Gjekmarkaj.

Gjekmarkaj tha se buxheti që po miratohet është një deklaratë braktisjeje për veriut.

“Asnjë investim në infrastrukturën që lidh veriun me Tiranën, Shqipërinë me Evropën, me Malin e Zi dhe Kroacinë. Rruga Milot-Balldren është një ferr i vërtetë 6 muaj në vit. Asnjë plan për bujqësinë, asnjë strategji për turizmin, vetëm fjalë e fasada. Në bujqësi fondet i IPARD kanë përfunduar tek miqtë e pushtetit, fermeri i thjeshtë nuk ka parë asnjë ndihmë. Në turizëm Shëngjini dhe Talja përballen me mungesa të fuqisë punëtore për shkak të emigrimit masiv. Në buxhet nuk ka fonde për të ndaluar largimin, por ka fonde për spote televizive”, tha ai.

Deputeti demokrat theksoi se buxheti nuk është hartuar për qytetarët, por është një “instrument i pushtetit për të mbajtur fasadën e një vendi që po ecën përpara”.

“Veriu meriton buxhet të drejtë”, u shpreh Gjekmarkaj.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›