E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Rritje pagash në 2026-ën për administratën, mjekët, mësuesit, policët

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në vitin 2026 do të ketë rritje pagash për administratën, mjekët, infermierët, mësuesit dhe policët.

Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend ku po diskutohet projektbuxheti 2026 dhe paketa fiskale, Rama u shpreh se, buxheti bën edhe një rritje tjetër domethënëse të pagave.

Kryeministri sqaroi se, “rritja e pagës minimale nuk është vetëm një rritje e pagës minimale në vetvete, por është edhe një shtytje nga poshtë-lart për të rritur pagat më sipër”.

Rama rikujtoi edhe njëherë se, “e filluam me përjashtim nga tatimi mbi pagën i atyre që kishin pagë minimale 300 euro. E vazhduam më pas me ata që pagën minimale e morën 400 euro dhe sot do ta vazhdojmë me ata që pagën e kanë 500 euro që përbëjnë rreth 35% të të punësuarve”.

Paga minimale në Shqipëri kur qeveria socialiste mori detyrën, tha Rama, ishte vetëm 157 euro, ajo sot shkon në 500 euro.

Rama shtoi se, “pesha e të punësuarve me pagë minimale në tregun e punës ka rënë nga 60%, në 14%. Gjë që tregon një rritje të vazhdueshme drejt pagave më të larta”.

Rama tha se, “ne kemi dyfishuar pagën mesatare në sektorin privat, e cila sot është shumë e lartë seç ishte dhe e kemi çuar pagën mesatare në sektorin publik në 1 mijë euro, ndërkohë që paga mesatare e përgjithshme është 840 euro”.

“Për herë të parë do të fusim edhe indeksimin periodik të pagës çdo dy vjet për administratën publike, në mënyrë që të vazhdojmë të fuqizojmë familjet dhe të mbështesim rritjen e standardeve të jetesës”, tha Kryeministri.

Gjithashtu, shtoi Rama, “kemi parashikuar përsëri për herë të parë dhe rritje të diferencuara pagash, për të mbështetur më shumë punonjësit me paga më të ulta dhe për të siguruar një shpërndarje më të drejtë të kompensimit të të gjithë administratës”.

“10 600 punonjës shërbimi, sanitarë, shoferë, teknikë, arkivistë, magazinierë, protokollistë, do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë në muaj”, tha Rama

Rama theksoi se, për specialistët e administratës publike rritja do të jetë 5 mijë lekë.

Mësuesit do të përfitojnë pagë 3 mijë lekë më shumë në muaj, tha Rama, teksa shtoi se, për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit vjetor do të fillojë dhe llogaritja e vjetërsisë në punë, “gjë që pagën e mjekut e përgjithshëm do ta çojë nga 131 700 lekë, në 143 500 lekë. Ndërsa pagën e infermiereve do ta çojë nga 87 mijë lekë, në 92.500 lekë”.

Po ashtu, Rama theksoi se, edhe për punonjësit e Policisë së Shtetit, përveç indeksimit, do të ketë rritje për vjetërsinë në punë, e cila për gradat më të ulëta përkthehet në një rritje mesatare prej 5 mijë lekë në muaj.

Sipas vjetërsisë në punë, vijoi Rama, “për inspektoret nga 80 mijë e 500, paga do të shkojë në 84 mijë e 500, ndërsa shtesa do të shkojë në 10 mijë lekë. Nënkomisarët, 95 mijë e 500 do të shkojnë në 100 mijë lekë, me shtesa do të shkojnë në 116 mijë lekë. Komisarët sot janë në 105 mijë dhe në total do të shkojnë në 125 mijë. Drejtuesit e thjeshtë sot janë 130 mijë, do të shkojnë në 156 mijë e 540 lekë pagën”.

“Kostoja totale e këtyre masave sa i përket administratës është 100 milionë euro”, tha Rama.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›