Malaj: Të ardhurat për frymë mbi 20% më të larta se mesatarja e vendeve të rajonit

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot në Kuvend se sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, “Shqipëria renditet me rritjen ekonomike më të lartë në krahasim me vendet e Europës, duke theksuar se ky është një tregues i qartë i ecurisë pozitive të ekonomisë shqiptare”.
Reagimi i ministrit erdhi pas fjalës së deputetes së opozitës, Jorida Tabaku, e cila tha se “qeverinë dhe buxheti i vitit të ardhshëm nuk mbështet shtresat në nevojë, bujqësinë dhe qytetarët”, ndërsa shtoi se “ekonomia ka shteruar dhe nuk punon për shumicën e shqiptarëve”. Tabaku theksoi se Partia Demokratike do të votojë kundër buxhetit, duke argumentuar se “qeveria nuk ka sjellë një alternativë reale”.
Ajo rikujtoi edhe çështjen e inceneratorëve, ku theksoi se po vijon djegia e parave të buxhetit të shtetit.
Në përgjigje, Malaj u ndal edhe tek çështja e inceneratorëve, duke sqaruar se 1 miliard lekë të parashikuara për menaxhimin e mbetjeve urbane janë shpërndarë në mbi 41 bashki, dhe se nuk kanë lidhje me aferën e inceneratorëve. “Nuk e di se si i lidhni inceneratorët me fondet e menaxhimit të mbetjeve urbane. Çfarë lidhje ka Malësia e Madhe me inceneratorin e Tiranës?”, u shpreh Malaj.
Ai solli në vëmendje edhe ecurinë e të ardhurave të qytetarëve, duke theksuar ndryshimin e ndjeshëm ndër vite.
“Në vitin 2013, të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin 30% nën mesataren e Ballkanit Perëndimor. Sot, në 2025, të ardhurat për frymë janë mbi 20% të mesatares së vendeve të rajonit, sipas raporteve ndërkombëtare” u shpreh ministri.
Malaj nënvizoi se të dhënat tregojnë një tendencë të qartë të rritjes së nivelit të jetesës dhe forcimit të ekonomisë shqiptare, duke ritheksuar se buxheti i ri është i orientuar drejt zhvillimit dhe stabilitetit ekonomik.
/a.f/