Gjekmarkaj: Koha për t’i hapur rrugë qeverisjes me qeveri teknike

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj kërkoi sot largimin e qeverisë për t’i hapur rrugë qeverisjes së vendit përmes një qeverie teknike.
Duke marrë fjalën në Kuvend, Gjekmarkaj ngriti shqetësim për atë që sipas tij, përfaqëson sot Partia Socialiste.
“Kush jeni ju? Partia Socialiste që duhej të ishte sociale dhe socialiste me shqiptarët, apo një organizatë partnere dhe e tillë vetëm me banditët e cituar nga ish-zëvendëskryeministri juaj? Kush jeni, partia që matet elektoralisht me kundërshtarët apo ajo që pret agimin e ”fitoreve” pas natës së errët të kërcënimit të tyre nga të “fortët” me “thikat e tyre te gjata””, deklaroi Gjekmarkaj.
Gjekmarkaj tha se pas përfoljes së shumtë për lidhje të qeverisë me krimin, e vetmja që ka hequr dorë nga sakrifica është qeveria.
“Asaj i kërkohet vetëm një, më modestja e tyre, më e lehta, të ike, t’i hapë rrugë “qeverisë teknike”, sepse pas qeverisë që duket, edhe pse shumë e përfolur dhe e akuzuar, e pamjaftueshme në gjithçka e kudo, qëndron në hije, në terrin e natës dhe arrogancën e ditës, një tjetër qeveri, e cila nuk ka asnjë besim vote dhe nuk ndien asnjë përgjegjësi ndaj popullit dhe kjo është ajo e vërteta”, u shpreh Gjekmarkaj.
Sipas Gjekmarkajt, ajo është qeveria e mafias, e cila shtrëngon qeverinë politike të veprojë sipas ligjeve të saj.