E Enjte, 5 Nëntor 2026

Basha: Programi i PD pikë kthese për ekonominë, taksa e sheshtë frymëmarrje për biznesin


TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke risjellë në vëmendje tryezën e diskutimit për programin ekonomik të PD me ekspertë të fushës, theksoi se programi i selisë blu, është një pikë kthese për ekonominë e vendit.

Basha nënvizoi se kthimi i taksës së sheshtë është frymëmarrje për biznesin.

“Dëgjova me shumë vëmendje diskutimin e prof. dr. Zef Preçit, ekspert në fushën e ekonomisë, drejtues i ACER, organizata e parë jofitimprurëse dhe joqeveritare shqiptare. Me të bashkëndaj idenë se duhet mbështetur me të gjitha mjetet konkurrenca, e cila është motori i ekonomisë së tregut dhe viktima e parë e keqqeverisjes, duke shkaktuar mbyllje të bizneseve, varfëri dhe largimin e rinisë”, tha Basha. “Prandaj programi i Partisë Demokratike shënon një pikë kthese për ekonominë. Ne do t’i japim frymëmarrje sipërmarrjes përmes propozimeve tona, që garantojnë mirëqeverisjen dhe taksën e sheshtë 9%, e cila ul informalitetin dhe siguron rritje ekonomike të ndjeshme për çdo familje shqiptare”, shtoi Basha. “Ekonomia shqiptare meriton më shumë dhe ne po punojmë për ta arritur këtë”, nënvizoi Basha.

Basha po ashtu ka postuar dhe fjalën e ekspertit të ekonomisë, prof. dr. Zef Preçi. Eksperti Preçi iu bashkua debatit të nisur nga Partia Demokratike mbi ekonominë, e cila shënon nisjen e një turi takimesh me profesionistë të fushave të ndryshme, për t’i njohur ata me programin e PD dhe për të dëgjuar propozimet e tyre.

Drejtuesi i ACER, komentoi pozitivisht propozimin e PD për taksën e sheshtë, që sipas tij i vendos bizneset në një pozitë “start-i”, duke ulur kostot e administrimit.

“Ajo çka unë shoh me interes në programin që keni shpallur, është mirë të demistifikohet, do të thotë të përkthehet për qytetarin, të përkthehet për atë që ka angazhime të tjera dhe lufton të sigurojë mjetet e domosdoshme të jetesës, të përkthehet për atë që është i lodhur nga retorika e vetëm denoncimeve, vetëm e konstatimit se sa i errët është mjedisi social-ekonomik, politik e shoqëror përreth. Por të synojë që bashkë me demistifikimin e asaj çfarë premtohet të identifikohen dhe prioritete”, u shpreh Preçi.

“Përshembull kthimi në fushën fiskale tek taksa e sheshtë. Unë nuk mendoj se është e rëndësishme të bëhet debati 9 apo 10, sa ka qenë, sepse ne duhet të kuptojmë që mbajtja në këmbë e shtetit bazohet në taksa, s’ka ndonjë mënyrë tjetër, por të synohet që të kuptohet që pse shtrohet ky problem”, vijoi Preçi.

“Unë e kam mbështetur edhe publikisht, edhe kur është bërë për herë të parë eksperimenti dhe praktikisht zbatimi i taksës së sheshtë, sepse i vendos bizneset në të njëjtën pozitë starti, si ai që ka 20 vite në treg, si ai që futet sot. Nga ana tjetër jep mundësinë për të ulur natyrshëm pa kosto për administratën fiskale evazionin. Sepse ne na ndodh që sa më shumë fraksionohen apo përshkallzohen bizneset, biznesi i vogël lind dhe vdes i vogël, i mesmi po kështu, i madhi po kështu, pra nuk ka rritje të tyre”, tha ndër të tjera Preçi.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›