Gjekmarkaj ironizon “tryezën e dialogut” të Ramës: Tavolinë e ngurtë, e përfaqëson më së miri vullnetin e kryeministrit! Qëllimi ynë, çlirimi i vendit nga korrupsioni
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka ironizuar tryezën e mermerit të vendosur nga kryeministri Edi Rama para Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si simbol të mungesës së vullnetit për dialog me studentët nga ana e kreut të qeverisë.

“Kjo tavolinë e përfaqëson më mirë se çdo objekt tjetër vullnetin e kryeministrit, tavolinë e ngurtë, tavolinë e heshtur, që nuk flet. Kjo është oferta që ai ka për studentët”, tha ai për News24.
Gjekmarkaj theksoi se është abuzive të flitet në emër të të gjithë studentëve, duke shtuar se, pavarësisht zërave kundërshtues, rëndësi ka qëllimi i përbashkët, largimi i korrupsionit dhe skandaleve.
Agron Gjekmarkaj: Po e filloj nga tavolina e mermerit. Aq sa ka kjo gatishmëri për të komunikuar, folur dhe dialoguar me studentët, shoqërinë dhe opozitën, aq gatishmëri ka edhe kryeministri. Mendoj që kjo tavolinë e përfaqëson më mirë se çdo objekt tjetër vullnetin e kryeministrit, tavolinë e ngurtë, tavolinë e heshtur, që nuk flet. Kjo është oferta që ai ka për studentët.
Sa i përket PD-së, ju e dini që ka 14 vite në protestë me kauza, të cilat, për fat të mirë, janë përfaqësuar nga elitat e këtij vendi, që janë studentët shqiptarë, pedagogët dhe grupe të ndryshme të shoqërisë, nga mjekët, aktivistët, artistët, të cilët janë derdhur në shesh prej disa vitesh për t’i dhënë kuptim jetës në Shqipëri, shoqërisë europiane, anëtarësimit në NATO dhe ëndrrës shekullore për një Shqipëri të integruar në BE.
Më duket abuzive të flasësh në emër të studentëve. Qoftë në një thirrje të studentëve në një protestë të madhe si kjo, apo gjatë asaj të verës, që ishte po aq emancipuese sa kjo, ka gjithmonë zëra minoritarë që nuk duan, por e rëndësishme është qëllimi i përbashkët. Qëllimi i përbashkët është të çlirohet ky vend nga korrupsioni, nga skandalet, të kthehet në një vend që zgjedh lirisht përfaqësuesit e vet, që ka frymë arritjeje demokratike, i jep dinjitet qytetarit, një vend që nuk të patronazhon, nuk të frikëson, nuk ta merr votën nëpërmjet krimit, nëpërmjet parasë së zezë, por respekton vullnetin e shqiptarëve.