E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenden 2 kufoma në lumin Tisa, shkon në 5 numri i viktimave

Prishtinë, 28 tetor NOA-Dy trupa të kosovarëve të mbytur janë gjetur sot pasdite në lumin Tisa duke çuar kështu në 5 numrin e viktimave të cilët humbën jetën si pasojë e përmbysjes së një varke, me të cilën dyshohet se 19 persona po kalonin ilegalisht nga Serbia në Hungari.

Gjykatësi hetues i Serbisë, Erne Berenji, i tha Radios Evropa e Lirë se viktimat e reja janë gjetur në territorin serb.

Dje kemi gjetur edhe dy të vdekur, një vajzë rreth 10 vjeçe, nuk kemi të dhëna për të, dhe një mashkull 25-30 vjeç. Deri më tani janë gjetur vetëm katër trupa nga ana e territorit tonë.

Diçka është gjetur edhe nga ana e Hungarisë, dikush thotë një, dikush thotë ndryshe, por ne mund të flasim vetëm për atë që është gjetur në territorin tonë, tha Berenji.

Berenji nuk e bëri të ditur identitetin e viktimave të fundit. Ai tha se identifikimi i tyre po bëhet nga vetë familjarët.

Të afërmit vijnë te ne dhe të afërmit i identifikojnë trupat, tha Erne Berenji, duke shpjeguar se identifikimi bëhet më i vështirë për shkak të mungesës së dokumenteve identifikuese të viktimave.

Nga katër viktimat e gjetura në Serbi, sipas gjykatësit hetues, vetëm dy kishin me vete dokumente identifikuese.

Ndryshe, me këto viktima, numri i të vdekurve në tragjedinë në Tisë shkon në 5 persona, katër nga të cilët janë gjetur në Serbi dhe një në Hungari. Ndërsa, konsiderohen të zhdukur edhe 11 kosovarë të tjerë. Tre nga personat në barkë kanë shpëtuar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›