E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjenden mbetje kockore të së paku 23 personave gjatë gërmimeve në Zubin Potok

PRISHTINË, 19 gusht /ATSH/ Në kuadër të gërmimit në lokacionet e dyshuara në Zubin Potok të mërkurën u konfirmua se u gjetën mbetje kockore, të cilat dyshohet se janë të së paku 23 personave.

Në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës dhe Institutirt të Mjekësisë Ligjore thuhet se identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.

“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me këtë rast.

Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit.

PSRK, Policia e Kosovës dhe IML-ja shprehin përkushtimin e tyre për një proces profesional, të paanshëm dhe të dokumentuar, me respekt të plotë për dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur, dhe çdo zhvillim i ri do të mund të bëhet publik në përputhje me kërkesat ligjore dhe interesin e hetimit”, thuhet në njoftim.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›